Orkestra kamertale rinore TURKSOJ interpretoi në Shkup

Muzikantë të rinj nga shtete të ndryshme nga shtetet turkfolëse që janë tubuar nën Orkestrën Kamertale Rinore pranë Organzatës Ndërkombëtare të Kulturës Turke (TURKSOJ) mbajtën koncert në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, të parin në kuadër të turneut ballkanik që do ta realizojnë këta muzikantë.

Koncerti u organizua në bashkëpunim me Ambasadën e Turqisë në Shkup, ndërsa në të morën pjesë ambasadorja e Turqisë në këtë vend, Tülin Erkal Kara, sekretari i përgjithshëm i TURKSOJ-it, ambasadori Düsen Kaseinov, ambasadori i Azerbajxhanit për Maqedoninë me rezidencë në Ankara, Faig Bagirov, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe shumë qytetarë të tjerë.

Në fjalën e saj, ambasadorja Kara tha se TURKSOJ, që njihet si UNESCO-ja e botës turke, përmes aktiviteteve të saj që nga themelimi punon për të forcuar vëllazërinë mes popujve turq, promovimin e kulturës turke në botë dhe lënien e një trashëgimie të mirë brezave të ardhshëm.

Kara rikujtoi se Orkestra Kamertale Rinore pranë TURKSOJ po zhvillon turne ballkanik njëjavor dhe se ndihet e lumtur që ishte mikëpritëse e një koncerti të tillë.

Nga ana tjetër, Kaseinov tha se si organizatë kanë marrë përsipër detyra të rëndësishme për ruajtjen e thesarit kulturor turk që nga themelimi dhe bartjen e saj deri te brezat e ardhshëm.

“Muzika është inspirim që reflekton botën tonë shpirtërore”, tha Kaseinov, duke shtuar se ndihen tejet të lumtur që gjenden në këto troje në kuadër të turneut.

Ai shtoi se festojnë 25-vjetorin e themelimit të marrëdhënieve diplomatike mes republikave turke dhe se beson që do të kontribuojnë në përmirësimin e miqësisë dhe dialogut, paqes mes kulturave dhe promovimin e muzikës së botës turke përmes koncerteve.

Krahas klasikeve botërore të dirigjuara nga Anvar Akbarov dhe Mustafa Mehmandarov, interpretimet e pjesëve edhe nga bota turke u pritën me entuziazëm të madh nga shkupjanët.

Orkestra ofroi koncertin e parë me 22 korrik në Bursa të Turqisë, ndërsa në kuadër të turneut Ballkanik do të interpretojnë në Ohër më 26 korrik, në Podgoricë më 28 korrik, në Mostar më 30 korrik, në Sarajevë më 31 korrik dhe në Beograd më 2 gusht.

Orkestrën kamertale e përbëjnë muzikantë nga Turqia, Azerbajxhani, Kazakistani, Kirgistani, Uzbekistani, Turkmenistani dhe përfaqësues nga rajonet autonome të Federatës Ruse.

Orkestra, përveç veprave të muzikës klasike botërore, performon edhe vepra nga kompozitorët turq, ndërsa mund të lavdërohet se ka performuar në teatrin “Sheldonian” të Universitetit të Oksfordit.

Me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Azerbajxhanit, Kazakistanit, Kirgistanit, Uzbekistanit dhe Turkmenistanit, orkestra mbajti një turne në këto shtete, ndërsa ishte i ftuar edhe në Edinburg të Skocisë.

Orkestra kamertale është themeluar në vitin 2010 nga një fond shtetëror turk për zhvillim dhe në të marrin pjesë muzikantë të talentuar të cilët studiojnë në konservatoriumet e shteteve të TURKSOJ-it./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne