Opinion

Orwell apo Huxley?

Frika që kishte Orwell-i ishte ndalimi i librave. Ndërkaq, Huxley kishte frikë se nuk do të mbetej arsye për ndalimin e librave, sepse do të zvogëlohej interesimi për to saqë nuk do mbeten lexues më. Orwell-i kishte frikë nga ata që do të na privonin nga informacioni. Huxley kishte frikë nga ata që do të na jepnin aq shumë informacione saqë do të reduktoheshim në pasivitet dhe egoizëm

Shkruan: Festim Rizanaj, Prizren

Romani i George Orwell “1984”, që parashikonte një të ardhme të zymtë nën regjime totalitare mbikëqyrjeje, është rikthyer si libri më i shitur dhe po ribotohet, teksa lexuesit kërkojnë të kuptojnë teoritë e administratës së Donald Trump për “faktet alternative.” E gjitha nisi kur në një konferencë për media ku Trump akuzojë CNN-in për lajme të rreme dhe nuk i dha të drejtë pyetjeje gazetarit të këtij televizioni. Pastaj, zëdhënësi për media në qeverinë e Trump-it, Sean Spicer, deklaroi se ceremonia e betimit të Trump-it ishte më madhështorja e të gjitha e kohërave. Por, nga burime të pavarura u vërtetua se kjo nuk ishte e vërtetë. Por, nuk mbeti me kaq. Këshilltarja e Trump-it, Kellyanne Conway, gjatë pjesëmarrjes në kanalin televiziv NBC, për deklaratën e Spicer-t, tha se “ju këtë po e quani të pavërtetë; Spicer-i këtu ofroj faktet alternative.” Kur zyrtarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway, përdori termin “fakte alternative”, gjatë diskutimeve për masën e turmës së njerëzve në inaugurimin e presidentit Donald Trump, disa komentues e përshkruan shprehjen e saj si “Orwelliane”.

Me shprehjen e interesimit për librin shtëpia botuese Penguin Books vendosi që të ribotojë 75 mijë kopje të reja të këtij romani. Ndërsa, revista Hollywood Reporter informoj se romani do të realizohet si film nën regjinë e Paul Greengras dhe produksion të Sony-të, ku kështu romani “1984” për të tretën herë do të zë vend në kinematografinë filmike. Në kuadër të kësaj nuk ishte vetëm romani i Orwell-it që zgjojë interesim. Në mesin e librave më të shitur hynë edhe romani distopik i Aldous Huxley (1932) “Brave new World (Më e mira e botëve)”.

1984

Libri i publikuar fillimisht në 1949 ka në qendër qeverinë e njohur ndryshe si “Big Brother”, që spiunon mbi qytetarët e saj dhe i detyron të “dopio-mendojnë” ose të pranojnë disa versione kontradiktore të së vërtetës. Libri është një rrëfim distopik. Romani përshkruan një shoqëri totalitare, e cila është vazhdimisht nën vëzhgim, ku manipulohet e vërteta ose shtypet me lajme të rreme, ku kemi shpërlarje kolektive të trurit nëpërmjet propagandës. Në shoqërinë që përshkruhet në roman ekziston “Ministria e së Vërtetës”, e cila e informon shoqërinë mbi të vërtetat. Parimet themelore të kësaj ministrie janë “Lufta është paqe, liria është skllavëri, injoranca është fuqi”. Po ashtu konceptit “Big Brother” i ka dhënë formë Orwell-i në këtë roman.

Edhe pse Orwell-i në një letër dërguar Julian Symons-it thotë se libri i tij është një roman utopik, në bazë të përmbajtjes së romanit, si paralajmërim për rrezikun e një shoqërie ku gjithçka është nën kontrollin e shtetit, ku çdo zë opozitar është i shtypur, ky roman është vlerësuar si roman distopik ose kundër-utopik. Siç dihet, në Republikën e Platonit, në Utopinë e Thomas More-it, në Atlantikun e Ri të Francis Bacon-it, kemi prezantimin e një “rregulli të patëmetë” në aspektin ekonomik, filozofik e fetar. Ndërkaq, romani 1984, Më e mira e botëve (Brave NewWorld) e Aldous Huxley, romani Ne (We) të Yevgeni Zamyatin janë romane distopike. Në utopi njerëzve ju servohet “ëndërrimi” ndërsa në distopi “ankthi”.

Romani “1984” vlerësohet si gjurmë e rreziqeve të mundshme, që zinin vend në shoqërinë e kohës së tij. Orwell-i, në një letër dërguar një sindikate në SHBA, thotë se: “Edhe pse nuk mund të them shoqëria të cilën e kam përshkruar në libër se nuk do të realizohet, por mund të them se do të vijë koha kur do të kemi një shoqëri të ngjashme me atë të përshkruar në libër”.

Sipas Erich Fromm-it, romani “1984” i Orwellit është një paralajmërim dhe përshkrim i gjendjes shpirtërore. Përshkrimi i gjendjes shpirtërore se njeriu është indiferent ndaj të ardhmes së tij, ndërkaq paralajmërimi se “nëse nuk ndryshohet rrjedha e historisë, njerëzit nga të katër anët do t’i humbin vlerat e tyre kryesore”, do të shndërrohen në automat të pashpirt dhe këtë pa qenë të vetëdijshëm.

“Më e mira e botëve”

“Më e mira e botëve”është një roman distopik, i cili prezanton një rend të ri botëror, ku njeriu ka humbur vlerat e veta njerëzore dhe është shndërruar në robot. Në këtë rend nuk ka familje, nuk ka vlera morale e shpirtërore, nuk ekziston besimin në Zot ose fe, gjithçka mësohet në gjendje të fjetur pa përzgjedhjen e bërë nga ne. Aty ekziston një sistem kontrollues, nga i cili nuk mund të largohesh, sepse me përshtatjen dhe detyrat zbatuese në këtë sistem mësohen qysh foshnje.

Dashuria dhe ndjenjat tjera njerëzore nuk ekzistojnë, sepse këto ndjenja e dëshpërojnë njeriun dhe e prishin rendin. Pleqëria, obeziteti dhe sëmundje të tilla nuk ekzistojnë më falë ilaçeve të përdorura. Falë ilaçit të quajtur soma njeriu arrin lumturinë e përkohshme. Pra, gjithçka lidhet me problemin e lumturisë.

Sipas Huxley-it, një shtet i vërtetë efikas totalitar do të jetë ai ku drejtorët e mëdhenj do t’i kenë të gjitha fuqitë politike dhe ushtria e menaxherëve, që drejtohet prej tyre, do të kontrollojë popullatën e skllevërve, të cilën nuk kanë as pse ta detyrojnë me zor, sepse ajo vetë e dashuron robërinë. Që ajo të dashurojë, në shtetet e sotme totalitare ngarkohet me punë ministria e propagandës, redaktorët e gazetave dhe mësuesit e shkollës.

Sipas Huxley-it, derisa liria politike dhe ekonomike zvogëlohet, liria seksuale ka gjasë të ketë prirje të zmadhohet. Dhe, diktatorët do ta inkurajojnë këtë lloj lirie. Ndërthurja e lirisë me drogat, filmat dhe radion, do të ndihmojë të arrihet ëndërrime me sytë hapur, që të arrihet kështu nënshtrimi i individit ndaj robërisë në emër të fatit.

Orwell apo Huxley?

Neil Postman në librin e tij me titull “Amusing Ourselves to Death: Public Discourse in the Age of Show Business (1985)” thekson se bota bashkëkohore më mirë është reflektuar në librin e Huxley-it (Brave new World) sesa në librin e Orwell-it (1984). Argumenti  kryesor në libër është: ekzistojnë dy romane distopike të shkruara nga dy kritikë të njohur letrarë britanikë – Brave new World nga Aldous Huxley dhe 1984 nga George Orwell – dhe njerëzit kishin gabuar duke u obsesionuar nga vizioni i botës i paraqitur nga libri i dytë (1984) (ku kemi censurë të informacionit, kufizim të lëvizjes, shtet individual) në vend të librit të parë (ku kemi rehati teknologjike, zhytje në konsumim, kënaqësi të çastit).

Pra, së bashku me vizionin e errët të Orwell-it, ishte një tjetër – pak më i vjetër, pak më i panjohur, por po aq i trishtueshëm: Më e mira e botëve (Brave NewWorld) nga Aldous Huxley. Përkundër besimit dhe idesë në mesin e studiuesve se Huxley dhe Orwell-i e profetizuan të njëjtën gjë, sipas Postman-it ata nuk e profetizuan të njëjtën gjë. Orwell-i kishte paralajmëruar se do të pushtohemi nga një shtypje e imponuar nga jashtë (Big Brother). Por, sipas vizionit të Huxley-it, nuk kemi nevojë për një “Big Brother” që t’i privojë njerëzit nga liria, pjekuria dhe historia. Sipas Huxley-it, njerëzit do të fillojnë ta duan shtypjen, të adhurojnë teknologjitë që zhbëjnë aftësitë e tyre për të menduar.

Frika tjetër që kishte Orwell-i ishte ndalimi i librave. Ndërkaq, Huxley kishte frikë se nuk do të mbetej arsye për ndalimin e librave, sepse do të zvogëlohej interesimi për to sa që nuk do mbeten lexues më. Orwell-i kishte frikë nga ata që do të na privonin nga informacioni. Huxley kishte frikë nga ata që do të na jepnin aq shume informacione, saqë do të reduktoheshim në pasivitet dhe egoizëm. Orwell-i kishte frikë se e vërteta do të fshihej prej nesh. Huxley kishte frikë se e vërteta do të mbytej në detin e të parëndësishmes (do të bëhet irrelevante). Orwell-i kishte frikë se ne do të kapeshim nga një kulturë robëruese. Huxley kishte frikë se do të shndërroheshim në një kulturë të parëndësishme e preokupuar me disa ekuivalente të ndjenjave dhe shfrenimeve. Në librin e Orwell-it njerëzit kontrollohen duke iu imponuar dhimbje, ndërsa në librin e Huxley-it njerëzit kontrollohen duke iu imponuar kënaqësi. Shkurt, Orwell kishte frikë se ajo që e urrejmë do të na shkatërrojë, ndërsa Huxley kishte frikë se ajo që e duam do të na shkatërrojë.

Pra, Neil Postman e shtjellon librin e tij me titull “Amusing Ourselves to Death: Public Discourse in the Age of Show Business (1985)” mbi parimin se Huxley-i kishte të drejtë e jo Orwell-i.

OPINIONE