OSBE: Monitorimi i procesit të votimit në Turqi vazhdon pa probleme

Shefja e delegacionit monitorues të zgjedhjeve të byrosë së Institucioneve Demokratike dhe të Drejtave të Njeriut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ambasadorja Audrey Glover, në lidhje me procesin e zgjedhjeve në Turqi, tha se nuk ka pengesa për delegacionin e OSBE-së dhe vazhdojnë të vëzhgojnë zgjedhjet në metodologjinë që kanë përdorur gjithmonë.

Delegacioni ka nisur aktivitetet e monitorimit në shkollën fillore “Teğmen Kalmaz” në Ankara. Në një deklaratë për gazetarët, ambasadorja Glover, ka bërë të ditur se delegacioni ka ardhur në Turqi përmes ftesës së Ministrisë së Jashtme të Turqisë dhe se vëzhguesit afatgjatë që prej një muaji kanë vazhduar punimet në rajone të ndryshme të vendit.

“Krahas vëzhguesve afatshkurtër edhe ne ndodhemi në Turqi për të monitoruar ngjarjet e sotme në votime. Nga këtu do të shkojmë edhe në vende të tjera. Vëzhguesit në vende të ndryshme të Turqisë krahas procesit të votimit, do të monitorojnë edhe numërimin e votave, përgatitjen e procesverbaleve si dhe numërimin e votave për votimet jashtë vendit”, u shpreh Glover, duke bërë të ditur se edhe vëzhguesit e ardhur në Turqi për një afat të shkurtër do të monitorojnë ngjarjet në kutitë e votimit.

Pasi ka bërë të ditur se ata kanë punuar me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe Këshillin e Evropës, Glover tha se janë në shërbim rreth 300-330 vëzhgues.

“Nuk ka pengesa për delegacionin e OSBE-së, ne vazhdojmë të vëzhgojmë zgjedhjet në metodologjinë që ne kemi përdorur gjithmonë. Nuk kemi përjetuar ndonjë problem”, tha Glover, e cila pas deklaratave ka hyrë në qendrën e votimit dhe ka marrë informacione nga autoritetet rreth votimeve.

Për monitorimin e zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve të përgjithshme në Turqi janë me detyrë 415 vëzhgues nga 8 organizata ndërkombëtare. Vëzhguesit do të raportojnë për standardet ndërkombëtare në zgjedhje, pjesëmarrjen në zgjedhje.  (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne