“Pa fjalime, pa media dhe afër varrit të gruas sime”, zbardhet testamenti i Rexhep Qosjes!

Rexhep Qosja ka lënë një testament të shkruar, ku përcakton mënyrën e varrimit dhe kufijtë e pranisë publike në ceremoni. Dokumenti mban datën 30 prill 2016 dhe i drejtohet nipit të tij, Valjetit, të cilit i ngarkon përgjegjësinë për zbatimin e tij.

Në tekst, Qosja kërkon varrim pa ritual fetar. Po në të njëjtën linjë, ai kërkon përjashtimin e çdo pranie zyrtare, duke e argumentuar me qëndrimet e tij kritike ndaj pushteteve gjatë jetës.

Qosja përcakton edhe përbërjen e ceremonisë. Ai kërkon që varrimi të kryhet vetëm nga familjarët. Përjashton fjalimet, praninë e mediave dhe vendosjen e luleve. Vendndodhjen e varrit e specifikon pranë bashkëshortes së tij, Shpresës.

Testamenti i Rexhep Qosjes: 

Nipit tim Valjetit,
i cili u kujdes për jetën time dhe prej të cilit
kërkoj të kujdeset edhe për varrosjen time

Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.

Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.

Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.

Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa media, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.

Vdes i qetë.

Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar, mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua, këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.

Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.

Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.

Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.

Gjyshi yt, Valjet
Rexhep Qosja
(nënshkrimi)

Prishtinë, 30.4.2016

/Pamfleti

"Pa fjalime, pa media dhe afër varrit të gruas sime",

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne