“Pa pikë mëshire!”: New York Times publikon dokumentet ku tregohen horroret e regjimit kinez ndaj muslimanëve ujgurë

Me qindra faqe dokumente të brendshme të qeverisë kineze të dala në dritë tregojnë se metodat që Kina përdor për burgosjen në masë të ujgurëve dhe minoriteteve të tjera në Xinjiang janë me udhëzimin direkt të liderit kinez, Xi Jinping. Aty kërkohet që të “mos kenë pikë mëshire” në “luftën kundër terrorizmit, ndërhyrjeve dhe separatizmit”.

Mbi 400 faqe dokumente të siguruara nga prestigjozja New York Times, tregojnë se qeveria ishte e vetëdijshme se fushata e saj e burgosjeve në masë do të shkatërronte dhe ndante familje të tëra dhe mund të nxiste reagime të ashpra nëse merrej vesh.

Pekini vazhdimisht i ka mohuar kritikat ndaj masave kundër rajonit me shumicë muslimane, ku mbi 1 milion ujgurë, kazakë dhe minoritete të tjera janë dërguar në kampe ku shpesh i nënshtrohen indokrinimit politik. Kina ka organizuar ture nëpër kampe, të cilat i përshkruan si “qendra vullnetare të aftësimit profesional” që kanë për qëllim t’i pajisin “studentët” me aftësi pune.

Dokumentet e siguruara nga një anëtar i establishmentit politik kinez, i cili shpreson të parandalojë Xi-në dhe liderët e tjerë të partisë komuniste në pushtet që të mos i ikin përgjegjësive, i hedhin poshtë këto pretendime. Sipas New York Times-it, personi ka kërkuar që të mbetet anonim.

Sipas raportit, në fillim Presidenti Xi kishte bërë thirrje për masa të rrepta ndaj disa fjalimeve privatë të bëra nga disa zyrtarë gjatë dhe pas një vizite në Xinjiang në vitin 2014, disa javë pasi militantët ujgurë kishin sulmuar një stacion treni duke goditur dhe vrarë 31 vetë.

“Duhet të jemi të ashpër po aq sa ata,” tha Xi, duke shtuar: “dhe nuk duhet të tregojnë pikë mëshire.” Në fjalimet e tij, Xi nuk kishte kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë krijimin e një rrjeti gjigand kampesh, por i kishte bërë thirrje partisë së tij që të përdorte “mjetet e diktaturës” për t’u përballuar me ekstremizmin.

Dokumente të tjera dëshmojnë se zyrtarët kinezë kishin parë shembullin e Mbretërisë së Bashkuar si narrativë justifikuese të qeverisë për të vënë “të drejtat e njeriut mbi çështjet e sigurisë”. Por në fakt, në vend të kësaj, presidenti Xi i nxiti zyrtarët kinezë që të mernin si shembull disa aspekte të “Luftës kundër Terrorizmit” të përdorura nga Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 Shtatorit.

Në rast se do të pyetëshin pse të afërmit e tyre nuk mund të kthehen në shtëpi nëse thjeshtë janë duke marrë pjesë në një trajnim, zyrtarëve u ishte kërkuar që të përdornin gjuhën e sëmundjeve për të justifikuar burgosjen dhe izolimin e tejzgjatur. “Liria do të jetë e mundur vetëm kur ky ‘virus’ në mendjen e tyre të çrrënjoset dhe ata të jenë mirë mendërisht, “ thuhet në dorëshkrim.

Po ashtu, dokumentet theksojnë nivelin e rezistencsës së disa zyrtarëve vendas. Në vitin 2017, ishin kryer mbi 12 mijë hetime ndaj anëtarëve të partisë për shkelje të lidhura me “luftën kundër separatizmit.”

Në bazë të dokumenteve të brendshme, një zyrtar kinez han ishte burgosur pasi ishte përpjekur të ngadalësonte burgosjen dhe të mbronte zyrtarët ujgurë.

Një tjetër, i quajtur Wang Yongzhi, përgjegjës për provincën Yarkand, u përdor si shembull pasi ai nuk iu bind urdhërave dhe në heshtje kishte liruar mbi 7 mijë të burgosur. “Ai refuzoi”, thuhet në një dokument të brendshëm që “të ndalonte këdo që duhej ndaluar.” Pekini nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këto dokumenta.

“Ata që kanë nëvojë për vëmendjen tonë, në të shumtën e rasteve nuk janë në gjendje ta kërkojnë atë. Dallgët e historisë po bëhen më të mëdha. E vërteta do të dalë në shesh një ditë. Jam i bindur për këtë,” shkruan një përdorues i rrjetit social kizen Weibo./observer

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne