Pacolli e Cakaj nënshkruajnë “bashkimin” në diplomaci, ambasada dhe konsullata të përbashkëta

Shqipëria dhe Kosova nënshkruan sot marrëveshjen ndërministrore për bashkim të përfaqësive diplomatike e konsullore, dhe për bashkëpunim strategjik në fushën e politikës së jashtme.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes rrjetit social Facebook, ministri për Punë të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili theksoi se marrëveshja u firmos nga bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme për Shqipërinë, Gent Cakajn.

“Jashtëzakonisht i lumtur që sot në Tiranë ne kemi nënshkruar marrëveshjen historike për bashkëpunim strategjik mes Ministrive të Punëve të Jashtme që do të bashkojnë dhe afrojë pas 11 vjet pavarësie bashkëpunimin diplomatik të Kosovës dhe Shqipërisë. Ne synojme të zhvillojmë një politikë të bashkërenduar në fushat strategjike të rëndësisë kombëtare në politikën e jashtme”.

“Kosova dhe Shqipëria do të bashkërendojnë nga afër politiken e jashtme, do të krijojnë misione të përbashkëta diplomatike dhe do të ndajnë stafin dhe përvojën për zbatimin e interesave tona kombëtare. Ky është një hap i madh përpara për të ardhur së bashku në skenën botërore dhe për të vepruar si një komb”.

“I jam mirënjohës Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj qe se bashku kemi marrë këtë hap të madh.
Shqipëria si gjithmonë do të mbrojë interesat e Kosovës, dhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë. Si dy vende, një komb, ne do të përfaqësohemi në të gjithë botën me një zë të unifikuar”, ka shkruar Pacolli./klank

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne