Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka filluar një tur diplomatik në Azi, me qëllim të bind më shumë vende që të njohin pavarësinë e Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Kosovës dhe zv/kryeministri Behgjet Pacolli ka nisur një tur diplomatik të Azisë, duke kërkuar të rrisë mbështetjen për njohjen ndërkombëtare të vendit.
Zyra e tij tha se Pacolli do të marrë pjesë edhe në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, OIC, që do të zhvillohet më 5 dhe 6 maj në Bangladesh.
OIC, e themeluar në vitin 1969, e quan veten “zëri kolektiv i botës myslimane” dhe përfshin 57 vende me një popullsi kryesisht myslimane.
Deri më tani, 36 nga 57 shtetet anëtare të OIC-së e kanë njohur pavarësinë e ish-provincës serbe me popullsi kryesisht etnike shqiptare.
“Pjesëmarrja në konferencën e Këshillit të Ministrave të Jashtëm për Bashkëpunim Islamik dhe vizitat zyrtare në vende të tjera në këtë kontinent janë të një rëndësie të veçantë,” tha për BIRN një këshilltar i Pacollit, Jetlir Zyberaj.
Sipas ministrisë, Pacolli do të takohet me disa ministra të jashtëm të vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
OIC “ka 57 shtete anëtare dhe me gjithë mbështetjen dhe simpatinë që ato shtete kanë për vendin tonë, një numër i konsiderueshëm i tyre akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës,” vuri në dukje Zyberaj.
“Te shtetet e tjera të kësaj organizate, që nuk e njohin Kosovën, nuk shohim ndonjë pengesë për të vazhduar drejt njohjes de facto të Republikës së Kosovës,” shtoi ai.
Para se të shkonte në Azi, Pacolli vizitoi Romën, ku u prit nga homologu i tij italian Angelino Alfano.
“Ky vend i madh do të na ndihmojë të na njohin edhe shumë të tjerë, për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin tonë në organizata të ndryshme ndërkombëtare,” shkroi Pacolli në Facebook të mërkurën pas takimit me Alfanon.
Në mars, Pacolli tha për Radio Europa e Lirë se ai po punonte në të gjithë botën, në të gjitha kontinentet, për të siguruar më shumë njohje për Kosovën.
“Njohja nga shtetet e mëdha për të cilat po punojmë, nuk mund të them se do të ndodhë brenda një ose dy muajve, por këto janë synime që duhet të ndodhin këtë vit,” tha Pacolli.
Sipas Ministrisë së Jashtme, 116 vende tashmë e njohin Kosovën si një vend të pavarur.
Gjithsesi, Serbia, e mbështetur nga Rusia, është zotuar se nuk do ta njohë kurrë atë.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq mbajti një sërë takimesh diplomatike në prill, duke lobuar për interesat serbë në mosmarrëveshjen e afatgjatë me dhe për Kosovën.