Pakistani bën thirrje për rikthimin e lirive për popullin e Kashmirit

Përmes një kumtese të publikuar nga presidenca e Pakistanit, presidenti Arif Alvi i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të luajë rolin e tij për të bindur Indinë që të rikthejë të drejtat civile dhe liritë për popullin e Kashmirit.

Duke folur para një delegacioni të mediave turke, i udhëhequr nga Pr. Halil Toker, presidenti i Pakistanit tha: “Veprimi i njëanshëm i Indisë më 5 gusht të vitit 2019 për ndryshimin e statusit të rajonit të okupuar Xhamu dhe Kashmir, i njohur si një territor i diskutueshëm nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ishte i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar”.

“Udhëheqësia armiqësore indiane, me gishtin e madh mbi butonin bërthamor, po mundohet me forcë të hinduizojë Indinë dhe përndjekë pakicat, andaj për këtë arsye, është bërë një kërcënim jo vetëm për paqen rajonale dhe botërore, por edhe për strukturën shoqërore të vetë Indisë”, tha Alvi.

Presidenti më tej tha se “ajo që India e bën në Xhamu dhe Kashmir është analoge me brutalitetet izraelite në Palestinë”.

Duke vlerësuar rolin e admirueshëm të mediave turke në zbardhjen e çështjes së Kashmirit, Alvi shpreson se mediat turke do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ngritur zërin për popullin e shtypur të rajonit Xhamu dhe Kashmir.

“Pakistani është falënderuar ndaj popullit dhe Qeverisë së Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme për çështjen e Kashmirit dhe Pakistani do të vazhdojë të mbështesë Qeverinë e Turqisë dhe popullin e saj për çështjet në interesin turk”, shtoi ai.

Marrëdhëniet midis Pakistanit dhe Indisë ranë në një nivel të ulët pasi India hoqi dispozitat e veçanta për shtetin Xhamu dhe Kashmir.

Shteti është nën një bllokim thuajse të plotë që nga 5 gushti.

Disa grupe të të drejtave përfshirë Human Rights Watch dhe Amnesty International në mënyrë të përsëritur i kanë bërë thirrje Indisë të heqë kufizimet dhe të lirojë të paraburgosurit politikë.

Megjithatë, autoritetet indiane pohojnë se kufizimet ditore janë hequr në 93 për qind të rajonit.

Nga viti 1954 deri më 5 gusht të vitit 2019, Xhamu dhe Kashmir gëzonte një status të veçantë sipas Kushtetutës Indiane, e cila i lejonte të miratojë ligjet e veta.

Dispozitat mbronin gjithashtu ligjin e shtetësisë në rajon, i cili i ndalonte të huajt të vendosnin dhe të zotëronin tokë.

India dhe Pakistani mbajnë nën kontroll pjesë të Kashmirit dhe pretendojnë të drejtën për administrim mbi tërë rajonin. Kina kontrollon gjithashtu një pjesë të rajonit të kontestuar, por India dhe Pakistani kanë zhvilluar dy luftëra mbi këtë rajon.AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne