Pakistani përshëndet seancën e KS të OKB-së rreth Kashmirit

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, ka përshëndetur mbajtjen e seancës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) rreth situatës në pjesën e Kashmirit e cila është nën kontrollin e Indisë.

Në një prononcim përmes llogarisë në twitter, Khan tha se për herë të parë pas 50 vitesh çështja e Kashmirit është ngritur në forumin më të lartë diplomatik.

“Përshëndes seancën e Këshillit të Sigurimit ku u diskutua për situatën serioze në rajonin e pushtuar Xhamu dhe Kashmir. Për herë të parë pas 50 vitesh forumi diplomatik botërorë merret me këtë çështje. Prandaj zgjidhja e problemit të popullit të Kashmirit dhe gjetja e një zgjidhje të mosmarrëveshjes është përgjegjësi e këtij institucioni botërorë”, ka thënë Khan.

Të premten Këshilli i Sigurimit mbajti një seancë me dyer të mbyllura rreth zhvillimeve të fundit në rajonin e trazuar të Xhamu dhe Kashmirit me kërkesë të Islamabadit.

Tensionet në rritje midis fuqive bërthamore të Pakistanit dhe Indisë u përshkallëzuan pas vendimit të Indisë për revokimin e statusit special të Xhamu dhe Kashmirit.

Krerët e Kashmirit dhe qytetarët frikësohen nga ky veprim, pasi konsiderojnë se kjo është një përpjekje e Indisë për të ndryshuar imazhin demografik të shtetit me shumicë muslimane të cilët duan pavarësi ose bashkim me Pakistanin.

Qeveria e Indisë që nga shpallja e vendimit të revokimit të statusit, rajonin e ka vendosur në një bllokadë të komunikimit, veprim që ka hyrë në ditën e 13-të./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne