Pakistani thotë se mbi 50 persona u vranë në përleshjet e javës së kaluar me Indinë

Ushtria e Pakistanit tha në një deklaratë të martën se 51 persona u vranë në sulmet indiane javën e kaluar, përfshirë 40 civilë dhe 11 anëtarë të forcave të armatosura. Numri i mëparshëm zyrtar i të vdekurve në Pakistan kishte qenë 33 civilë pa humbje ushtarake, raportoi DW. Javën e kaluar, India nisi sulme ajrore duke synuar objektet e “infrastrukturës terroriste” në Pakistan dhe Kashmirin e administruar nga Pakistani, në përgjigje të një sulmi ndaj turistëve hindu në prill në Kashmirin e administruar nga India, ku mbetën të vrarë 26 persona.

Rivalët e përbetuar të armatosur me armë bërthamore nisën pas disa ditë sulme me raketa dhe dronë në territoret e njëri-tjetrit, përpara se një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-të të arrihej gjatë fundjavës. India tha se të paktën pesë ushtarakë dhe 16 civilë indianë vdiqën në përleshje. Pavarësisht pretendimeve nga të dyja palët për disa shkelje, armëpushimi dukej se po respektohej të martën.

Zyrtarë të lartë ushtarakë nga India dhe Pakistani folën nëpërmjet një linje telefonike të hënën për të vlerësuar nëse armëpushimi po respektohej dhe si të sigurohej zbatimi i tij, raportoi Associated Press. Ushtria indiane në një deklaratë tha se zyrtarët diskutuan angazhimin për të mos “qëlluar asnjë predhë” ose për të mos ndërmarrë veprime agresive. Në përgjigjen e tij të parë publike që nga armëpushimi, kryeministri indian Narendra Modi tha se India vetëm sa ka “ndaluar” veprimet e saj ushtarake dhe paralajmëroi për hakmarrje nëse do të kishte sulme të mëtejshme terroriste ndaj Indisë.

“Nëse Pakistani dëshiron të mbijetojë, do të duhet të shkatërrojë infrastrukturën e tij terroriste”, tha Modi të hënën. Të martën, Ministria e Jashtme e Pakistanit tha se vendi “mbetet i përkushtuar” ndaj armëpushimit. Të hënën, Shefi i Forcave Ajrore të Indisë, Marshall AK Bharti, tha se forcat e saj ishin “të gatshme të ndërmerrnin çdo mision të mëtejshëm, nëse lind nevoja”. Bharti shtoi se lufta e Indisë ishte “me terroristët dhe jo me ushtrinë e Pakistanit apo civilët e tij”./parstoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne