Pakistani vlerëson rolin pozitiv të Turqisë në Siri

Pakistani tha se i njohin shqetësimet legjitime të Turqisë për sigurinë, pasi kjo e fundit nisi operacion antiterrorist në veri të Sirisë të mërkurën.

“Ne i njohim shqetësimet legjitime të sigurisë së Turqisë në rajon. Ashtu si Pakistani, Turqia gjithashtu ka qenë një viktimë e terrorizmit”, tha Mohammad Faisal, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, në një konferencë javore për media.

Të mërkurën, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eleminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Faisal tha se Islamabadi vlerëson rolin pozitiv të Turqisë në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme politike për konfliktin në Siri.

“Pakistani gjithashtu i vlerëson përpjekjet humanitare të Turqisë, e cila strehon me mirësjellje mbi 3,5 milion refugjatë sirianë”, shtoi ai.

Faisal deklaroi se Pakistani vazhdon të mbështesë integritetin territorial të Sirisë dhe shpreson që një zgjidhje politike për konfliktin sirian të arrihet sa më shpejt.AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne