Palestina anulon Marrëveshjet e Oslos të vitit 1995 të nënshkruara me Izraelin

Palestina ka anuluar Marrëveshjet e Oslos të vitit 1995 të nënshkruara me Izraelin.

Në një intervistë televizive, ministri i Çështjeve Civile i Autoritetit Palestinez, Hussein al-Sheikh, tha se “Izraeli është informuar se administrata palestineze nuk do t’u përmbahet marrëveshjeve midis tyre”.

Sheikh po ashtu shprehu shpresë se vendet arabe dhe islamike do të jenë një fuqi që mbështesin qëndrimin palestinez.

Me kërkesë të Palestinës, Liga Arabe më 1 shkurt do të zhvillojë një takim të jashtëzakonshëm në nivel ministror për të diskutuar të ashtuquajturin “Plani i paqes”.

Të martën gjatë një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump prezantoi planin e tij të njëanshëm për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve izraelito-palestineze.

Megjithatë, në shpalosjen e këtij plani ku nuk kishte asnjë përfaqësues palestinez, Trump iu referua Kudsit si “kryeqytet i pandarë i Izraelit”.

I ashtuquajturi “Plani i paqes” i presidentit amerikan në mënyrë të njëanshme ka shpallur të pavlefshme rezolutat e mëparshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) për çështjen palestineze dhe po ashtu ka tërhequr kritika se i jep Izraelit gjithçka që kërkoi.

Sipas Marrëveshjes së Oslos të vitit 1995 midis Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, u nda në tre pjesë, respektivisht në Zonën A, B dhe C.

Sipas marrëveshjes, Izraeli i ndalon palestinezët të kryejnë projekte ndërtimi në pjesë të Bregut Perëndimor të përcaktuara si Zona C, që janë nën kontrollin administrativ dhe të sigurisë nga Izraeli.

Aktualisht, Zona C është shtëpi e 300 mijë palestinezëve, shumica e të cilëve janë beduinë dhe barinj, të cilët kryesisht jetojnë në tenda, karvane dhe shpella.

E drejta ndërkombëtare, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor i konsideron si “terrotore të pushtuara” dhe të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve hebraike i konsideron të paligjshme./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne