Palestinezët dhe Kosova

Atullah Rexhepi

Jo rastësisht në popull thuhet se “kur je më së dobëti të bie në qafë secili” dhe kjo po ndodh edhe me rastin e popullit palestinez, i cili me dekada të tëra nuk ka parë ditë të bardha për shkak të shumë problemeve politike, ekonomike, sociale etj. Të thuash se palestinezët nuk ka qenë miqësor me Kosovën, i bie sikur ke zgjidhur të gjitha problemet si në aspektin e brendshëm shtetëror, ashtu edhe në atë të jashtëm dhe tani kanë ngelur vetëm disa probleme të vockla me të cilat merresh vetëm për të kaluar ditën dhe për konsum të brendshëm politik. Për çdo shqiptar do të ishte një nga veprimet më të ulëta dhe më të turpshme të gjeje rastin për të sulmuar, kritikuar apo për të kërkuar përgjegjësi nga populli palestinez sidomos në këto momente kur është duke kaluar nëpër një situatë të palakmueshme.

Çështja palestineze mund të shihet në disa rrafshe, varësisht nga konteksti se si dëshiron t’i qasesh, pra qoftë ai humanitar, politik, diplomatik, etj. Populli palestinez në aspektin politiko-ushtarak përfaqësohet nga disa grupe politike apo ushtarake, ku më të theksuarit janë Hamasi (i cili vepron në dy rrafshe, atë politik i cili përfaqësohet nga Ismail Hanije dhe atë ushtarak që përfaqësohet nga brigadat Ized-Din Al-Kassam) me veprim në Rripin e Gazës dhe Fatahu (e cila që nga themelimi mbështeste një ideologji nacionaliste palestineze në të cilën palestinezët do të çliroheshin nga veprimet e arabëve palestinezë. Ky grup u themelua në vitin 1954 nga anëtarët e diasporës palestineze – kryesisht profesionistë që punonin në shtetet e Gjirit që kishin qenë refugjatë në Gaza dhe kishin shkuar për të studiuar në Kajro apo Bejrut) i kryesuar aktualisht nga Mahmud Abass, i cili njëherit është edhe kryetar i Autoritetit Autonom Palestinez (AAP është krijuar në bazë të Marrëveshjes Gaza-Jerikos për të qeverisur Rripin e Gazës dhe Zonat A dhe B të Bregut Perëndimor, që burojnë nga Marrëveshjet e Oslo-s të vitit 1993). Pra, mund të thuhet se këto janë dy grupet më rivale në Palestinë që njëri synon zgjidhjen e çështjes palestineze përmes dialogut politik me Izraelin, kurse grupi tjetër nuk ka përjashtuar rezistencën (që edhe quhet lëvizje e rezistencës) kundrejt tendencave për vazhdimin e pushtimit të tokave palestineze nga ana e Izraelit. Pra, njëri grup i krijuar në ekzil dhe tjetri i krijuar brenda Palestinës për zgjidhjen e kauzës palestineze. Një organizatë tjetër e cila synon çlirimin e tokave palestineze është Organizata për Çlirimin e Palestinës, e cila është formuar në vitin 1964 me qëllim çlirimin e Palestinës. Kjo organizatë njihet si përfaqësuesi i vetëm legjitim i popullit palestinez nga mbi 100 shtete me të cilat deri më tani ka krijuar marrëdhënie diplomatike dhe që nga viti 1974 ka gëzuar statusin e vëzhguesit në Kombet e Bashkuara. OÇP u konsiderua nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli si organizatë terroriste deri në Konferencën e Madridit në vitin 1991.

Shpeshherë është thënë se shqiptarët kanë qenë ata që kishin strehuar hebrenjtë nga revanshi gjerman dhe internimi në Aushvic dhe e gjithë kjo ishte bërë për shkak të mikpritjes apo siç e njohim ne “besën” e shqiptarëve. Këtu shtrohet pyetja, a ka mbetur edhe më tej ndenja e miqësisë dhe e dashurisë për liri tek shqiptarët? Në bazë të deklarimit të zv/kryeministrit dhe ministrit të jashtëm të Kosovës, Behxhet Pacollit, një gjë e tillë nuk mund të pohohet, për shkak se ai ka gjetur rastin të kritikoj një popull i cili po kalon nëpër faza të vështira bile edhe më të vështira që i kemi kaluar ne para disa viteve. Në rast se shqiptarët ishin treguar humanitar dhe liridashës me hebrenjtë e përndjekur nga Hitleri, nuk do të thotë se duhet gjithmonë strehuar apo përkrahur vetëm hebrenjtë, kur tani është rasti i solidarizimit me kauzën palestineze, ku populli i Palestinës çdo ditë i nënshtrohet vuajtjeve, dhunës dhe vrasjeve nga ana e ushtarëve izraelitë, ku rasti më i freskët është vrasja e një qytetari të hendikepuar palestinez në karrocën e tij si dhe arrestimi i një tjetri me sindromën Down.

Deri më tani qeveritë e kaluara si dhe ajo e tanishmja, duke mos pasur mundësi për krijimin e strategjive dhe politikave afatgjate shtetërore, gjithmonë kanë ndjekur politika ditore të bazuara në informacione të dhëna nga mediat. I gjithë ky mllef i ministrit të jashtëm të Kosovës vjen pas deklaratës së ambasadorit palestinez në Beograd ditë më parë i cili përkrahu Serbinë në raport me Kosovën, por nuk duhet harruar se edhe Izraeli ka ambasadë në Beograd dhe ka raporte të mira diplomatike me Serbinë dhe në këtë mes, as Izraeli nuk e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe deri më tani asnjëherë nuk kemi dëgjuar nga asnjë zyrtar qeveritar të kundërshtojë popullin izraelit apo Izraelin. Kjo i bie se unë si i “fortë” mund të kundërshtojë të “dobëtit”, kurse në raport me të fortët jam neutral, nuk më interesojnë qëndrimet e tyre karshi interesave të mia shtetërore. Si asnjëherë më parë Kosova ka nevojë për diplomaci dhe për individë që përcjellin zhvillimet globale në mënyrë që të vënë në një pozitë më të mirë interesin shtetëror.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne