Palestinezët që i rezistojnë okupimit izraelit nuk janë njësoj me rebelët që luftojnë kundër qeverisë siriane

nga Rania Khalek.

Mbështetësit e kryengritjes së armatosur në Siri e kanë pozicionuar diskursin pro-palestinez të së majtës perëndimore për të justifikuar rrëzimin e qeverisë siriane. Kjo taktikë e ka ngatërruar dhe dëmtuar lëvizjen e solidaritetit për Palestinën.

Kolonizimi i Palestinës, ndryshe nga lufta në Siri, është një çështje e drejtpërdrejtë. Palestinezët shikonin hallet e tyre kur kolonët hebrenj, me mbështetjen e fuqive imperialiste perëndimore, hynë dhe nisën projektin kolonial i cili po vazhdon të pastrojë etnikisht Palestinën.

Ata që mbështesin ndryshimin e regjimit në Siri shpesh e barazojnë ushtrinë siriane me ushtrinë izraelite ndërsa rebelët me palestinezët. Por ushtria izraelite është një pushtuese koloniale që vjedh sistematikisht tokën e popullsisë indigjene.

Ushtria siriane është indigjene dhe po lufton një kryengritje të përbërë nga sirianë dhe dhjetëra mijëra luftëtarë të huaj nga e gjithë bota mbështetur nga shumë aleatë të Izraelit. E majta nuk ka nevojë që të mbështesë qeverinë siriane apo metodat e saj, por duhet të kundërshtojë përpjekjet e fuqive imperialiste në përdorimin e forcave reaksionare për të rrëzuar shtetin sirian, siç janë përpjekur deri tani SHBA dhe aleatët e saj rajonalë.

Ekuivalenca e rreme

Një nga pikat e mbështetjes rebele përfshin Jermukun në Damaskun jugor, ku qeveria siriane po kryen aktualisht një operacion për të shkatërruar Shtetin Islamik (IS, më parë ISIS).

Shumica e banorëve të Jermukut, të cilët para luftës përbëheshin nga një pjesë e madhe refugjatësh palestinezë dhe një numër i madh sirianësh, kanë ikur nga zona që prej shpërthimit të konfliktit midis Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA) dhe Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës – Komanda e Përgjithshme. Jermuku ra në dorë të Aknaf Beit al Maqdisit, filialit të Hamasit derisa IS-i e sekuestroi atë prej tyre në vitin 2015. Disa të mbetur nga Aknafi vazhduan bashkëpunimin me qeverinë siriane kundër IS-it duke u bashkuar me Forcat Kombëtare të Mbrojtjes, madje luftuan për të ndihmuar qeverinë siriane në rimarrjen Salmas në Latakian veriore.

Ndërkohë që udhëheqësit e IS-it në Jermuk dhe lagjia e afërt e Hajr al Aswadit kërkuan të negociojnë një marrëveshje me qeverinë siriane për tu larguar që të shkonin në Sirinë Lindore, qeveria refuzoi, duke mos dashur që këta luftëtarë të ashpër të përforcojnë shokët e tyre xhihadistë në Homsin Lindor ose Deir ez-Zor. Në mars të këtij viti IS-i përfiton nga një marrëveshje ku grupet e tjera kryengritëse si Ababil dhe Liwa al Islam e lanë Kadamin në Damaskun jugor dhe zaptuan më shumë territor duke vrarë mbi 50 ushtarë sirianë si dhe disa gazetarë të televizionit sirian.

Përkundër gjithë kësaj, operacioni për të përzënë IS-in nga Jermuku u portretizua nga përkrahësit e rebelimit si një masakër e madhe e Asadit kundër palestinezëve.

Për të larguar vëmendjen nga nga mizoritë e Izraelit kundër palestinezëve, edhe mbështetësit e Izraelit gjithashtu pretendojnë se palestinezët janë viktima të Asadit.

Edhe personalitete që kanë qenë kundër ndërhyrjes, si eksperti i Al Jazeeras Mehdi Hasan, i kanë bërë jehonë Jermukut për të nxjerrë në pah mizoritë e regjimit kundër palestinezëve dhe i kanë dhënë leksion amerikanëve për heshtjen e turpshme në të cilën Izraeli as që përmendet fare.

Midis palestinezëve nuk ka konsensus për luftën në Siri. Palestinezët janë të ndarë mes opozitës dhe qeverisë, ndërsa të tjerët mbeten neutralë. Mijëra palestinezë po luftojnë së bashku me Ushtrinë Arabe Siriane në betejën për të rimarrë Jermukun nga IS-i.

Rëndësi ka se për kë po luftoni

Grupet e rezistencës palestineze po luftojnë për çlirimin nga pushtimi i huaj. Por në Siri, kryengritësit islamikë nuk po luftojnë për një shoqëri më demokratike, më të lirë dhe më të barabartë. Ata nuk po luftojnë për çlirim apo të ofrojnë ndonjë gjë më të mirë. Ata po luftojnë për qëllime sektare dhe reaksionare që do të ishin shumë më keq se sistemi aktual. Megjithëse regjimi ka plot të meta dhe duhet të ndryshojë, ai është shumë herë më i mirë se alternativa e kryengritësve.

Sjellja e grupeve rebele ka rezultuar në atë që qeveria e Sirisë, Iranit dhe Hezbollahut të miratojnë një luftë ndaj retorikës së terrorit që Perëndimi dhe izraelitët po përdorin kundër tyre. Taktikat kundër kryengritësve të regjimit kanë qenë brutale, shpesh të tepruara dhe pa dallim. Kjo është e tmerrshme dhe është arsyeja pse ne duhet të kishim bërë thirrje që ti jepej fund luftës që vite më parë, për të mos e përjetësuar më atë dhe për të mos çuar në më shumë brutalitet. Gjithashtu e rëndësishme është që të shqyrtohen dhe të njihen mënyrat në të cilat sjellja e kryengritjes së armatosur brenda Sirisë krijoi kushtet për këtë situatë.

Mburoja njerëzore

Një nga justifikimet më të zakonshme izraelite për të sulmuar civilët palestinezë gjatë luftërave brutale ndaj palestinezëve (dhe para kësaj në Liban) ka qenë pretendimi se Hamasi po pengon civilët të ikin dhe po përdor gratë dhe fëmijët si mburoja njerëzore për të mbrojtur armët dhe raketat e tij.

Por prova se Hamasi ka përdorur palestinezët si mburoja njerëzore ose i ka penguar ata që të largohen nga bombardimet izraelite nuk ka pasur fare. Ironikisht, është Izraeli ai që ka një histori të dokumentuar mirë të përdorimit të civilëve palestinezë, duke përfshirë fëmijët, si mburoja njerëzore në një numër rastesh. Në atë që quhet “procedura e fqinjit”, ushtarët izraelitë i kanë detyruar civilët palestinezë që tu afrohen të dyshuarve të armatosur dhe shtëpive që mund të kenë pasur eksploziv me qëllim mbrojtjen e jetëve të ushtarëve.

Ndërkohë, në Siri, qeveria siriane dhe aleatët e saj kanë argumentuar shpesh se kryengritësit e armatosur përdorin popullatën civile si mburojë njerëzore në zonat që ata kontrollojnë, duke çuar në akuzat e mbështetësve të rebelëve se qeveria siriane po përdor taktika izraelite për të diskredituar opozitën. Problemi është se kryengritësit në Siri, ndryshe nga Hamasi apo ndonjë grup tjetër palestinez, në të vërtetë përdorin civilët si mburoja njerëzore dhe ata e bëjnë këtë me krenari, ndonjëherë edhe duke xhiruar veten e tyre në keto veprime. Për shembull, Xhaish al Islam, grupi selefist-xhihadist që kontrollonte qytetin e Doumas derisa u rimor nga qeveria në prill, mburrej publikisht se civilët e minoritetit Alawit të mbyllur nëpër kafaze i përdorte si mburoja njerëzore, të cilët i filmonte dhe i postonte në YouTube.

Për më tepër, gjatë operacioneve të qeverisë për të rimarrë Aleppon lindor dhe Ghoutan lindore, kryengritësit, ashtu si IS-i, ndaluan ushqimet per popullatën lokale dhe qëlluan kundër civilëve, ndërsa ata përpiqeshin të iknin në zonat e sigurta të ruajtura nga qeveria.

Nëse Hamasi është sjellë në këtë mënyrë, do të ishte mirë të dënohej për atë. Kryengritësit sirianë i bëjnë të gjitha këto gjëra dhe mbështetësit e tyre përpiqen ti turpërojnë ata duke i krahasuar këto sjellje kriminale cinike me ato te izraelitëve.

Kjo nuk do të thotë se e majta duhet të mbështesë Hamasin. Si një lëvizje çlirimtare, Hamasi ka të drejtën për të luftuar okupimin izraelit. Por qeveria e Hamasit është reaksionare dhe shtypëse. Edhe më shtypës është Autoriteti Palestinez, një sistem diktatorial i krijuar nga Izraeli dhe Amerika, në mënyrë që Izraeli të ketë një kukull në dorën e tij që të sundojë popullin palestinez.

Spastrim etnik

Një pretendim tjetër i nxitur nga ndryshuesit e regjimit është se qeveria siriane, ashtu si qeveria izraelite, është e angazhuar në spastrimin etnik. Ndërsa Izraeli ka pastruar etnikisht Palestinën për ta populluar atë me kolonë hebrenj, në Siri mbështetësit e rebelëve këmbëngulin që regjimi i keq Alevit i Assadit po shfaros dhe po i spastron etnikisht sunitët dhe t’i zëvendësuar ata me shija nga Libani, Irani dhe Iraku. Ky është një tregim fund e krye i sajuar. Qeveria siriane ka një mbështetje të madhe nga sunitët të cilat përbëjnë shumicën e sirianëve. Eshtë e vërtetë që Assadi është nga sekti Alavit, por gjithashtu është e vërtetë se mbështetet nga shumica e sunitëve në zonat urbane. Duke parë alevizmin nga këndvështrimi sunnit, nuk merret parasysh se ushtria siriane është me shumicë sunite.

Ndërsa qeveria dhe mbështetësit e saj janë nga i gjithë populli, kryengritja është një fenomen supremacist sunni që është angazhuar në spastrimin etnik dhe shfarosjen e jo-sunitëve, si dhe sunitëve të cilët nuk pajtohen me ta. Opozita e armatosur nuk mori përkrahje popullore sepse ishte sektare me axhendën e saj islamike, e cila nuk pëlqehej prej shumicës dërrmuese të sirianëve. Ata i frikësohen rebelëve më shumë se kundërvimit ndaj qeverisë.

Që sunitët po zëvendësohen nga shia është gjithashtu një gënjeshtër. Në Siri nuk ka prova për këtë në terren dhe burimi kryesor i këtij pretendimi janë grupet e salefiste xhihadiste dhe propagandistët e jashtëm të opozitës. Idlibi është aktualisht nën kontrollin e Hayat Tahrir Al Shamit, përsëritjes së fundit të ekskluzivitetit të al Kaedës në Siri. Qyteti u bë qendër për mijëra luftëtarë kinezë që u bashkuan me xhihadin në Siri dhe u vendosën në shtëpitë e sirianëve të larguar. Duke e quajtur veten Partia Islamike e Turkistanit, ata ndihmuan në luftimet për zaptimin e Xhisr al-Shughourit. Pra, kryengritësit e huaj që zaptuan zonat siriane janë ata të cilët mund të krahasohen me kolonët hebrenj të Izraelit.

Përpjekjet për ta barazuar luftën në Siri me pushtimin Izraelit të Palestinës kanë qenë të dëmshme për lëvizjen e solidaritetit për Palestinën, e cila dy vjet më parë ishte duke e rritur popullaritetin. Lëvizja Bojkot, Shpronësim dhe Sanksionim ose BDS, po bënte hapa të mëdha, veçanërisht në kampuset e kolegjeve në të gjithë SHBA-në. Pothuajse çdo muaj, grupimi studentor Studentët për Drejtësi në Palestinë (SJP) do të arrinin të miratonin një rezolutë për të bojkotuar kompanitë që përfitonin nga pushtimi Izraelit i Palestinës.

Por argumentet rreth luftës civile siriane u injektuan në aktivizmin pro Palestinës. Këto argumente u përshkallëzuan në luftime që e dëmtuan lëvizjen. Shumë grupime brenda SJP-së u ndanë lidhur me Sirinë, duke shkatuar një kënaqësi tek mbështetësit e Izraelit.

Izraeli është në një aleancë de facto me opozitën siriane. Për më tepër, shumë nga vendet që ndërhynë për të mbështetur kryengritjen e armatosur në Siri, përfshirë SHBA-në dhe Anglinë, janë mbështetësit kryesorë të Izraelit.

Nëse aleanca e opozitës siriane me fuqitë imperialiste dhe Izraelin nuk do të mjaftojë për t’ia kthyer mendjen aktivistëve të solidaritetit për Palestinën që të hidhen në anën e kryengritësve, ndoshta media do të mjaftojë.

Në çështjen e Palestinës, ne e dimë se mbulimi i mediave perëndimore është i njëanshëm në favor të Izraelit. Megjithatë, në Siri ne duhet të pranojmë çdo pretendim nga këto media dhe organizata që i lustrojnë mizoritë dhe agjendat e kryengritësve të mbështetur nga SHBA, me të njëjtën mënyrë si ato i pastrojnë dhe fshehin krimet e Izraelit.

Palestinezët kanë të drejtë ti rezistojnë okupimit izraelit për tokën e tyre ndërsa turma pro-rebele argumenton se sirianët kanë të drejtë ti rezistojnë qeverisë dhe për këtë arsye ne duhet ta mbështesim kryengritjen e armatosur në Siri. Ajo që ka rëndësi është se për çfarë po luftohet në këtë rebelim.

Rania Khalek është një gazetare amerikane, shkrimtare dhe komentatore politike e bazuar në Lindjen e Mesme./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne