Palestinezët vendosin të falen masivisht të premten para xhamisë Aksa

Anëtarët e Vakëfit Islamik të Jeruzalemit që menaxhon ndërtesat aktuale islamike në Haram al-Sharif dhe rreth tij, u kërkoi palestinezëve të mbyllin të gjitha xhamitë në Jeruzalemin Lindor të okupuar të premten dhe të mblidhen për lutje masive përpara Portave të Xhamisë Al-Aksa në një shfaqje zemërimi ndaj masave të reja të Izraelit.

Kreu i vakëfit, Shejh Azzam el-Khatib tha se të gjithë imamëve të xhamive të Jeruzalemit Lindor iu kërkua të mos mbanin lutje në xhamitë e tyre lokale, por në vend të kësaj të shkojnë në Aksa.

Autoritetet izraelite duhet të heqin dorë nga instalimi i detektorëve metalikë në portat e Aksasë dhe të përfundojnë politikat që “dëmtojnë paqen botërore”, shtoi ai.

Ndërkohë Issam Musleh, një zëdhënës i Patriarkanës Ortodokse Greke në Jeruzalem , tha se politikat izraelite përfaqësonin shkelje dhe “sulme” ndaj Aksasë, duke theksuar se, “Ne nuk do të heqim dorë nga njëri-tjetri në këto rrethana në Aksa”.

Hanan Ashrawi, anëtare e komitetit ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), tha se detektorët metalikë dhe kamerat në xhami ishin shembulli më i fundit i “shkeljeve të shfrenuara të Izraelit” që “përbëjnë një shkelje flagrante të të drejtave dhe lirive të adhuruesve muslimanë palestinezë”.

“Praktika të tilla ndërhyrëse dhe dehumanizuese synojnë t’i japin Izraelit mundësinë për të ushtruar kontrollin e sigurisë mbi vendet e shenjta të Jeruzalemit … Pa dyshim, Izraeli po krijon dhe përshkallëzon qëllimisht një situatë jostabiliteti, pasigurie dhe dhune; me përshkallëzimet e tij të fundit, okupimi izraelit nuk po provokon vetëm palestinezët, por të gjithë botën muslimane dhe sistemin ligjor ndërkombëtar”, tha ajo në një deklaratë.

Forcat izraelite janë në gatishmëri të lartë përpara lutjes masive të së premtes. Të enjten, ushtria izraelite njoftoi se do linte pesë batalione shtesë në gatishmëri, duke përfshirë edhe në Bregun e pushtuar. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne