Bota

Palestinezi gjobitet me 200 dollarë në plazhin izraelit; arsyeja qesharake

Një udhëtim i shumëpritur në det është kthyer në një dënim të fuqishëm për një punëtor palestinez fabrike, i cili shkoi në një plazh në Izrael për herë të parë pas dy dekadash dhe u gjobit se kishte veshur të mbathura në vend të kostumit të plazhit, raporton Haaretz.

Hakam Habash vendosi të shkonte në plazhin Herzl në qytetin izraelit të Netanyas pasi kishte një leje udhëtimi për në Izrael në orët e ditës gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Pasi mbërriti në plazhin Herzl me tre miq, grupit iu kërkua të tregonin lejet e hyrjes nga një inspektor komunal.

Megjithatë, nuk ishin lejet që i lanë meshkujt me gjoba prej 207$  secili. “I lartpërmenduri erdhi në det pa një kostum banje”, thotë një kopje e gjobës së Habashit, e cila përmendte gjithashtu “paragrafin 99”.

“Ankuesi ishte në plazh me të brendshme dhe jo me një veshje të rregullt. Zbatimi i ligjit në breg të detit bëhet me qëllim ruajtjen e rendit publik, sigurisë dhe mirëqenies së plazhistëve, dhe ne hedhim poshtë çdo përpjekje për t’i atribuar sjellje apo diskriminim racist komunës dhe punonjësve të saj”, tha një zëdhënës i komunës së Netanyas në një deklaratë për Haaretz.

Habash, një punëtor 36-vjeçar në një fabrikë prodhimi xhinsesh në Bregun Perëndimor ka katër fëmijë, shkruan gazeta.

“Unë mendoj se nuk do të mund ta shoh përsëri detin, sepse unë nuk mund ta bëj pagesën, përveç nëse e përdor pensionin tim ose heq dorë nga e ngrëna dhe e pira”, tha Habash, i cili fiton 272$ në muaj.

Ai pohoi se izraelitët që mbanin të mbathura në Herzl nuk merrnin gjoba.

“Unë ua tregova kopjen e gjobës hebrenjve që unë njoh në Samari dhe ata u habiitën”, tha ai, ndërsa një inspektor i plazhit në Tel Aviv e quajti gjobën “jo llogjike”. / © Gazeta Impakt

OPINIONE