Opinion Shqiperia

Paralajmërim Ambasadorit Donald Lu

Nga Kastriot Myftaraj

Ambasadori Lu kohët e fundit bëri veprimin e padëgjuar që të shprehej publikisht në mbështetje të disa gazetarëve në Shqipëri, të paditur në gjykatë, jo pasi ata të kishin marrë një dënim qartas të padrejtë nga gjykata në shkallën e parë, por fill pasi pala që mëton se është dëmtuar i paditi ata. Fakti që Ambasadori Lu iu tha gazetarëve të paditur se beteja e tyre ishte beteja e SHBA, do të thotë praktikisht kundërshton madje edhe të drejtën e palës që mëton se është dëmtuar për të përdorur mjetet që ia njeh ligji.
A është shkaktuar vërtet qëndrimi i Ambasadorit Lu nga shqetësimi për mbrojtjen e gazetarëve? Nëse do të kishte qenë kështu, Ambasadori Lu, apo paraardhësit e tij, do ta kishin bërë këtë edhe në raste të tjera të ngjashme, në mbrojtje të gazetarëve shqiptarë. Le ta zemë për një moment se qëndrimi i Ambasadorit Lu ka ardhur nga shqetësimi se paditësi Gjin Gjoni ka ndikim në gjykata dhe mund të sigurojë një vendim të padrejtë, në dëm të gazetarëve. Por a mund të besohet se pikërisht tani kur do të nisë zbatimi i Vetingut, të ketë gjyqtarë të cilët të bëhen kamikazë për Gjin Gjonin? Nëse Ambasadori Lu do të kishte thënë se Ambasada Amerikane do ta mbikqyrë gjyqin, për shkak të shqetësimit të mësipërm, unë do ta kisha mirëkuptuar atë. Ky do të kishte qenë qëndrimi i Ambasadorit Lu nëse qëllimi i tij do të kishte qenë që të mos bëhej padrejtësi në dëm të gazetarëve.
Nuk kam simpati për paditësin, Gjin Gjonin. Por ia njoh të drejtën e tij si qytetar i këtij vendi për t’ iu kërkuar atyre që kanë shkruar për të gjëra që, sipas tij, janë të pavërteta të dëmshme, që të ballafaqohen me të përpara gjykatës. Tekefundit atij këtë të drejtë ia njeh Kushtetuta dhe ligjet e tjerë, në fuqi. Nëse ata gazetarë që kanë shkruar për Gjin Gjonin kanë prova, them se asnjë gjykatës nuk do të guxojë që t’ i dënojë tani në kohën e Vetingut. Ambasadori e di këtë e megjithatë veproi ashtu si veproi.
Sjellja e Ambasadorit Lu, krejt e jashtëzakonshme për një ambasador të huaj në Shqipëri, qoftë ky edhe amerikan, tradhton një shkak dhe qëllim tjetër, që kuptohet duke e kqyrur qëndrimin e Ambasadorit Lu nga pikëpamja se duke mbrojtur gazetarët ai mbron edhe mediumin për të cilin punojnë ata, që gjithashtu është paditur, kuptohet shumëçka në këtë histori. Këtu është çelësi për të kuptuar qëndrimin e ambasadorit. Fakti është se ky qëndrim i paparë amerikan ndodh për shkak dhe në të mirë të një mediumi në gjuhën shqipe që është degë e një organizate informuese në pronësi të një femre serbe sorosiane, me qendër në Beograd siç do ta shpjegoj më tutje, hollësisht.
Portali Reporter.al është një publikim online në shqip i BIRN (Balkan Investigative Reporting Network) është një organizatë informative rajonale e regjistruar në Sarajevë nga një serbe, Gordana Igriç e cila është themeluese e BIRN, si dhe kryeredaktore dhe kordinatore e BIRN. Më pas Igriç e zhvendosi qendrën e vërtetë të BIRN në Beograd. Sipas vetëparaqitjes që bën. Sipas vetëparaqitjes që BIRN bën në portalin e vet qendror Balkan Insight:
“During summer 2007 the BIRN Hub established BIRN Ltd. in Belgrade, Serbia, to support the development of its sustainability strategy and income-generating activities.”
Kuptohet se qendra në Beograd është zemra e BIRN, ajo nëpërmjet së cilës shpërndahen financimet ku konceptohet strategjia. BIRN është një krijesë e Sorosit me qendrën e vërtetë në Beograd.
Nën dritën e këtyre fakteve qëndrimi i Ambasadorit Lu shfaqet kështu:
Ambasadori Lu kërkon që punonjësit e degës në Shqipëri të një organizate informative me qendër në Beograd të kenë një status të privilegjuar, duke qenë mbi ligjet në fuqi. Kjo do të thotë që një organizatë me qendër në Beograd të mund të ushtrojë veprimtari në Shqipëri me anë të një dege të saj, por me status të privilegjuar duke qenë mbi ligjet shqiptare. Kjo tekefundit do të thotë që shteti shqiptar të vihet në një marrëdhënie varësie ndaj Serbisë.
E gjithë kjo ka të bëjë me projektin e Jugosllavisë së Re, të fshehur keq pas emërtimit “Ballkan Perëndimor”, që është Jugosllavia e vjetër plus Shqipëria. Në prill Sorosi vizitoi zyrat e BE në Bruksel, me ç’ rast tha se kishte biseduar për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Jugosllavia e re është projekt i pëlqyer i Sorosit, si eksperiment shumëetnik, por edhe i burokratëve të Brukselit, të cilët gjejnë këtu një zgjidhje për problemin e bezdisshëm të këtij regjioni. Edhe sorosianët në diplomacinë amerikane e mbështesin këtë projekt. Sepse Fabrika Sorosiane nuk ka prodhuar vetëm fake news, por edhe fake American diplomats.
Kur unë denoncova përfaqësuesen diplomatike të Bashkimit Europian në Shqipëri, se ajo punon për integrimin e Shqipërisë në Jugosllavinë e Re, jo në BE, dhe për këtë arsye qeveria bëri me anë të Policisë së Shtetit një skenar të dështuar për arrestimin tim, ishte BIRN, që me anë të Gjergj Erebarës, pinjollit të agjentit të dokumentuar serb, Jashar Erebara, që përhapi ndërkombëtarisht në disa gjuhë shpifje ndaj meje me qëllim për të më diskredituar si armik të Jugosllavisë së Re. Argatit i Beogradit edhe ky Gjergji, si Jashari. Më vjen mirë vetëm për një gjë, që me këtë u vërtetuan ato që kisha shkruar unë.
Për të gjitha këto ky Erebara i ri i Beogradit, do të përballet me mua në gjykatë dhe bashkë me të edhe BIRN e Beogradit, si organizata amë e BIRN Albania, dhe që ka detyrim të mbajë përgjegjësi për degën e saj në Shqipëri. Nuk do të veproj si Gjin Gjoni që padit thjesht gazetarët, por unë do të padit edhe organizatën dizinformuese në Beograd, argatë të së cilës ata janë.
Qëndrimi i ambasadorit Lu është absolutisht i papranueshëm, pa asnjë mbulim ligjor nga statusi i tij si diplomat. Sjellja e tij është ajo e një Fake Diplomat Sorosian, jo e një Diplomati Amerikan. Për fat të keq në Shqipëri është krijuar nga fabrika sorosiane edhe Fake USA.
Unë e llogaris veten ndër ata shqiptarë në sajë të së cilëve vendi dhe kombi im kanë fituar reputacionin e të qenit proamerikanë. Por SHBA e ka fituar dashamirësinë e shqiptarëve pikërisht sepse e ka mbrojtur Shqipërinë dhe kombin shqiptarët nga fqinjët lakmitarë që me ndihmën e fuqive të mëdha armiqësore bënin përpjekje të përbashkëta për ta zhdukur Shqipërinë nga harta dhe shqiptarët nga trojet e tyre. SHBA nuk do të kishte këtë reputacion që ka ndër shqiptarët nëse do të kishte mbështetur projekte për vasalizimin e Shqipërisë nga vendet fqinje.
Unë e paralajmëroj Ambasadorin Lu, ndonëse mendoj që ai është i vetëdijshëm për këtë gjë, se kur kemi të bëjmë me çështje si kjo e BIRN, atëherë veprimi që kryen një diplomat, aq më tepër në pozitën e tij, ka implikime që shkojnë përtej kufijve të çështjes konkrete për të cilën ai shprehet se është angazhuar. Ambasadori Lu nuk mund të shtiret se nuk e kupton këtë gjë./Kastriot Myftaraj

OPINIONE