BE paralajmëron për dhunë/ Përgjigjet PD

Portali që ndjek nga afër punimet e Bashkimit Europian, Eureporter paralajmëroi ditën e sotme se Shqipëria mund të përfshihet nga trazirat dhe dhuna ditën e hënë kur PD-ja ka paralajmëruar protestën e saj dhe bllokimin e rrugëve.

Por në një deklaratë nga selia blu, thuhet se Partia Demokratike nuk ka​ nevojë për dhunë dhe nuk do të përfshihet kurrë në dhunë.

REAGIMI I PD:

Partia Demokratike dhe opozita kanë 64 ditë që protestojnë, pasi mbajtën një nga mitingjet më të mëdha që ka parë ndonjëherë Shqipëria. Të gjitha veprimet e saj kanë qënë paqësore dhe shembull i qytetarisë më të lartë që ka dëshmuar shoqëria shqiptare.

Nuk ka patur asnjë provokim, asnjë incident të vetëm, asnjë prishje të qetësisë apo pronës publike.

Partia Demokratike nuk ka​ nevojë për dhunë dhe nuk do të përfshihet kurrë në dhunë.

Kauza e lirisë dhe e demokracisë është kauza më e fuqishme në botë dhe ne ndjehemi të fuqishëm në të drejtën tonë. Edi Rama duhet të mësohet me demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur mosbindjen e tyre civile.

Referencat e Edi Ramës ndaj 1997-ës janë veprime të dëshpëruara të një njeriu që edhe vetë e di se nuk i ka mbetur më asnjë justifikim për të qëndruar në pushtet, veç ngjalljes së frikës tek njerëzit.

Frymëzuesit dhe drejtuesit politikë të 1997-ës Edi Rama i ka në krye të PS-së dhe në Kuvend bashkë me bandat e ‘97-ës qe po i liron një nga një nga burgu për të ruajtur me ta pushtetin e tij të kriminalizuar. Protesta e opozitës do ta shpëtojë Shqipërinë nga krimi që ka sjellë Edi Rama. Me besimin tek vlerat e demokracisë dhe lirisë, ne do të vazhdojmë qëndresën tonë qytetare me çdo mjet demokratik deri sa të sigurojmë zgjedhjet e lira dhe të ndershme./Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne