Paratë e zhdukura të grabitjes në Rinas shkak për vrasjet e bujshme të Durrësit/ Ekzekutimet u porositën nga një grup kriminal, dëshmia: Po kërkojnë pesë milionë euro

Kanë marrë një kthesë të fortë hetimet për vrasjet seriale në Durrës, që sipas hetuesve kanë si shkak pesë milionë eurot e grabitura në Rinas nga barku i avionit Tiranë- Vjenë, 9 Prillin e 2019.

Nga hetimet e zhvilluara deri tani, dhe informacioni i siguruar nga një prej bashkëpunëtorëve të policisë i arrestuar, katër vrasjet në Durrës janë porositur nga i njëjti grup kriminal, i cili është duke kërkuar “pjesën” nga paratë e zhdukura të grabitjes në Rinas ku mbeti i vrarë Admir Murataj.

I penduari i policisë ka hedhur dritë mbi vrasjet e ndodhura fillimisht të 2 Marsit dhe të 27 Prillit 2020, dy vëllezërve Haxhia nga Puka banorë në Durrës. Sipas burimeve nga grupi hetimor, vëllezërit Haxhia kanë strehuar dhe ndihmuar një prej personave pjesëmarrës në grabitjen e 20 thasëve me para në Rinas.

Grupi kriminal fillimisht ka porositur vrasjen e Dorian Shkozës, në 2 Mars pasi edhe ai ka patur dijeni. Edhe vëllezërit Haxhia ishin në dijeni për paratë sipas grupit hetimor.
“Paratë e Rinasit diku janë investuar dhe po kërkohen”. Këto ka thënë midis të tjerave për grupin hetimor i penduari i policisë.

Ai ka treguar se grupi kriminal ka qenë pjesëmarrës edhe në katër ngjarje të tjera kriminale brenda vendit, jo vetëm në qytetin e Dr. Anxhelo Avdia 28 vjeçari që u vra me Dorian Shkozën në Nishtulla në 2 Mars nuk ishte shënjestër.

Ai u ndodh rastësisht në vendin e ngjarjes. Porosia ka qenë për pronarin e Servisit të makinave Dorian Shkoza”.

Klevis Alla 22 vjeç dhe Altin Ndoci 35 vjeç janë arrestuar si autorë të dyshuar të vrasjes së vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia në 27 Prill. Altin Ndoci ka qenë në varrim të dy vëllezërve si i njohur e mik i tyre.

Për të treta ka qenë sërish dhe ka ngushëlluar prindërit duke hedhur 50 mijë lekë në kafe. Prindërit e kanë pyetur për emrin me qëllim që të dinin kush i ngushëlloi por Altin Ndoci ka dhënë një emër tjetër, pohuan burimet nga grupi hetimor.

Ndërkohë që hetimet vijojnë edhe për disa persona të tjerë që kanë marrë pjesë në ekzekutime por kanë dijeni edhe për porositësit që për hetuesit janë një grup I fuqishëm kriminal. Për hetuesit e Durrësit shkak i ekzekutimeve janë paratë e grabitura në Rinas që kanë sjellë disa ngjarje kriminale, por nuk përjashtohen as konfliktet për pazaret e prishura të drogës në Shqipëri dhe jashtë vendit.

Ka qenë njëri prej të arrestuarve, një 22-vjeçar, i cili ka pranuar të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, duke zbërthyer gjithë bandën kriminale të Durrësit, që ka lidhje me disa vrasje dhe me grabitjen e bujshme të mijëra eurove në Rinas.

Ka qenë Drejtori i Policisë për Krimet e Rënda, Tonin Vocaj, që e ka bindur 22-vjeçarin për vetëm 10 minuta të bëhet dëshmitar i drejtësisë dhe të tregonte autorët e krimeve.
I riu është shoqëruar nga banesa e tij në polici nga një patrullë e komisariatit, ndërsa oficerët e krimeve i kanë thënë atij se kanë prova të pakundërshtueshme të pjesëmarrjes së tij në ekzekutimin e vëllezërve Haxhia.

Ndërkohë, më pas në dhomën e marrjes në pyetje ka hyrë drejtori Vocaj dhe për 10 minuta e ka bindur të riun të flasë dhe të tregojë gjithë ngjarjen./ Balkan Web

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne