Paratë që nuk u dhanë kurrë/ Si banorët e Zharzës u gënjyen nga shteti dhe Bankers!

Prej më shumë se 9 vitesh banorët e Zharzës vazhdojnë të ende sot e kësaj dite për të drejtat e tyre. Me letra nëpër duar ata enden nëpër dyert e Bashkive për të marrë dëmshpërblimin e plotë, që iu premtua një vit më parë.

Me dhjetëra komisione për muaj me radhë, vlerësuan disa prej shtëpive në Zharëz si të pabanueshme. Një prej tyre është edhe shtëpia e Festime Hoxhës, e cila vazhdon të jetë e dëmtuar edhe sot e kësaj dite. Festimja denoncon në Tirana Today padrejtësitë që po i bëhen sipas saj nga Bashkia e Patosit, e cila ia ka përgjysmuar shumën që meriton.

“Kam 9 vjet që vuaj pasojat e këtyre lëkundjeve, nga shpërthimet shumë të forta. Para pak ditësh, erdhi djali për të ngrënë bukë dhe teksa po hante ra një pjesë e tavanit. Dhe ia mbushi të gjithë pjatën. Unë shtëpinë e kam bërë me djersë dhe shkatërrimin e saj e ka bërë shteti me gjithë firmën. Unë nuk e rregulloj dot shtëpinë, sepse nuk më kanë dhënë ende lekët e plota.

Sipas komisioneve, të cilët nuk ishin një, por më shumë se gjashtë, shtëpia ime u shpall e pabanueshme dhe është vlerësuar prej tyre me rreth 25 milion. Ndërsa, kryetarja e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj, më njoftoi me anë të një letre se dëmshpërblimi do të jetë 15 milion lekë. Por, as ato nuk i kam marrë të plota. Unë kam marrë vetëm 7 milion e gjysëm. Me çfarë do t’i bëj unë këto shtëpi?!”

Mes protestave të shumta, si edhe marshimit simbolik drejt Tiranës, ku disa prej banorëve të Zharzës qëndruan para Ministrisë së Energjetikës. Në 1 mars të vitit 2017, u arrit më në fund një marrëveshje. Ku një pjesë të dëmtimeve do ta paguante qeveria dhe pjesën tjetër do ta paguante kompania Bankers Petroleum. Sipas këtij vendimi të qeverisë, banorët e Zharzës do të dëmshpërbleheshin 100%. Sipas ndarjes 40 % do të paguhej nga qeveria dhe pjesa tjetër prej Bankers-it. Teksa qeveria e pagoi pjesën e saj të dëmit, kompania refuzon të ketë faj, ndaj ende nuk e ka paguar pjesën e vetë. Të cilat i janë ngarkuar Bankersit me VKM nga qeveria.

“Unë nuk di gjë se çfarë do të bënin ata, Bankers nuk ka dhënë asnjë lekë. Unë nuk njoh se çfarë fusin ata këtu, në është Bankers apo çfarë do të fusë tjetër shteti. Kjo është punë për ta. Shteti e ka bërë kontratën vetë, ta gjejnë ata muhabetin.”

Edhe pse më shumë se prej një viti, banorët e Zharzës nuk kanë ndjerë më lëkundje, ata vazhdojnë të ndjehen të kërcënuar. Kësaj radhe nga shtëpitë, të cilat vazhdojnë sot e kësaj ditë të jenë të dëmtuara. Duke i rrezikuar përsëri jetën.
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=y1QeG0jsTag]
“Ankohem për shtëpitë e vëllait, shiheni në çfarë gjendje që janë. Dëmshpërblim nuk kanë marrë asnjëherë, as nga shteti e as nga kompania. Asnjë kokërr leku nuk ka marrë, ndaj e boshatisi shtëpinë, mori plaçkat dhe iku. Ai shumë shpejt do të kthehet prapë në shtëpi, po se ku do të rrijë, nuk e di. Këtu nuk jetohet, po qe se nuk vë dorë shteti dhe ta ndihmojë,”- thotë për Tirana Today një banor.

“Qytetarët janë të shkatërruar të gjithë, shpirti i tyre është i dërrmuar,”-përfundon Fatimja. Dhe ne largohemi prej Zharzës, e cila vazhdon të ketë frikë. Frikë se shtëpitë e tyre nuk do ta përballojnë një tërmet natyral me magnitudë shumë të lehtë, frikë se mos ndodhin shpërthime të tjera, frikë se nesër mund të ketë viktima. Dhe mllef për gjithë investimet që i kanë bërë ndër vite shtëpive të tyre. Të cilët sot vazhdojnë të enden për drejtësi. Drejtësi për një fshat të tërë, për Zharzën. /Tirana Today

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne