Parlamenti Evropian voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian (PE) sot votoi pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Këtë e bëri të ditur ministrja e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, e cila njoftoi se pas kërkesës së Komisionit LIBE për Grupet parlamentare të Parlamentit Evropian, sot hyri në rend dite dhe u votua për liberalizimin e vizave.

Në një njoftim nga MIE thuhet se ministrja Hoxha është shprehur se “Ky është një lajm i mirë për qytetarët tanë, për lëvizjen e lirë, për të ardhmen e rinisë tonë. Institucionet tona, të nivelit qendror dhe lokal, me përkushtim kanë realizuar të gjitha kushtet për liberalizim. Pas kësaj pune të jashtëzakonshme në të gjitha fushat dhe nivelet, ky votim i sotëm, është mirënjohje dhe dëshmi se qytetarët tanë e meritojnë lëvizjen e lire”.

Hoxha ka falënderuar raportuesit për Kosovën dhe Grupet parlamentare në Parlamentin Evropian, si dhe euro deputetët të cilët sipas saj patën mirëkuptim për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, angazhimin permanent që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më parë.

Tani për rekomandimin për liberalizimin e vizave pritet të votojë edhe Këshilli i Ministrave të BE-së.

Kujtojmë se në muajin korrik Kosova mori rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave, ku komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, kishte konfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave. Kurse më 30 gusht Kosova mori rekomandimin për liberalizimin e vizave në Komitetin për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) që funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne