Partitë dhe organizatat në Palestinë së bashku kundër planit të Izraelit për aneksim

Zëdhënësi i Hamasit, Dr. Sami Abu Zuhri tha se do të japin një përgjigje shumë të ashpër ndaj planit të aneksimit që Izraeli dëshiron të zbatojë edhe me mbështetjen e SHBA-së në Bregun Perëndimor nën okupim.

Në një prononcim për Andolu Agency (AA) lidhur me “planin e aneksimit” që Izraeli dëshiron të zbatojë në Bregun Perëndimor nën okupim, Zuhri tha: “Si palestinezë jemi mbledhur nën një çati të vetme dhe kemi qëndruar kundër këtij plani. Për t‘iu kundërpërgjigjur planit ne si lëvizje të rezistencës palestineze, si parti dhe organizata jemi të gatshëm të bëjmë çfarë është e nevojshme me një vendim të vetëm. Në mesin e këtyre opsioneve janë edhe një intifadë e re ose një lëvizje popullore”.

Ai rikujtoi se lëvizjet e rezistencës në Gaza, Bregun Perëndimor dhe në kampet e refugjatëve në Liban u mblodhën dhe kryen veprime të përbashkëta më 1 korrik në “Ditën e Zemërimit”.

Duke njoftuar se palestinezët dhe ata që duan drejtësi për Palestinën në vende të ndryshme të botës ngritën zërin kundër këtij plani, Zuhri tha se “Si Hamas dhe Palestinë nën një çati të vetme jemi të gatshëm të bëjmë çfarë është e nevojshme, përfshirë edhe alternativën e armatosur kundër këtij plani”.

“Trump zhvillon një marrëdhënie të bazuar në ‘interes’ me Izraelin para zgjedhjeve dhe përsa kohë qëndron në qeveri”, pretendon Zuhri i cili tha se në bashkëpunimin në rritje mes SHBA-së dhe Izraelit ndodhen edhe disa faktorë shtesë përveç interesave personale të Trumpit.

“SHBA-ja e periudhës së Trumpit bashkë me Izraelin vazhdojnë të sulmojnë palestinezët. Trump u afrua me Izraelin për interesat e tij, por sigurisht këtu kanë qenë efektive edhe lobet hebreje. Në këtë mbështetje janë të rëndësishme lidhjet dhe afrimet fetare dhe sektare. Paligjshmëria e SHBA-së në rajon shihet. Ne si palestinezë dhe Hamas nuk duam armiqësi me askënd por do të rriten më shumë humbjet në rajon nëse SHBA vazhdon bashkëpunimin me Izraelin në këtë mënyrë. Ne i bëjmë thirrje SHBA-së të lë këtë paligjshmëri, të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe të ndalojë mbështetjen e persekutimit”, tha ai.

“Palestinezët do të jenë në statusin e të huajit në territoret e tyre”

Zëdhënësi i Hamasit, Abu Zuhri vuri theksin se plani i aneksimit është një pjesë të të ashtuquaturës “Marrëveshja e Shekullit” dhe se po bëhen përpjekje për ta vendosur në zbatim dalëngadalë këtë marrëveshje në fjalë.

“Dy fazat më të rëndësishme të këtyre janë shpallja e Kudsit si kryeqytet i Izraelit dhe lejimi i sovranitetit të Izraelit mbi Lartësirat e Golanit. Ndërsa si fazën e tretë kërkohet të zbatohet ky plan i aneksimit si shtet okupues. Kundër këtij plani duhet të jepen të gjitha përgjigjet serioze të nevojshme. Bashkë me këtë plan do të pushtohet një pjesë prej 30 për qind e Bregut Perëndimor. Palestinezët atje do të jenë në statusin e të huajit në territoret e tyre”, tha ai.

Më tej Zuhri shtoi se “Projektet bujqësore dhe burimet e ujit do të bien në dorën e shtetit pushtues dhe jeta e vështirë aktuale e njerëzve do të vështirësohet edhe më shumë. Palestina do të vendoset nën bllokadë të plotë me eliminimin e kufijve mes Jordanisë dhe Palestinës. Kjo është shumë serioze dhe e rrezikshme. Ne si palestinezë jemi të gatshëm të bëjmë çfarë është e nevojshme kundër kësaj”.

Zuhri përsëriti se organizatat dhe partitë në Palestinë janë mbledhur “nën një çati” dhe do të veprojnë bashkarisht kundër planit për të cilin po bëhen përpjekje për ta zbatuar.

“Hamas do të përdorë deri në fund diplomacinë”, tha Zuhri i cili shtoi se lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh ka zhvilluar bisedime me më shumë se 40 liderë në botë kryesisht me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe se është në vazhdim të këtyre bisedimeve. Në këto bisedime shpjegohen rreziqet e planit të aneksimit dhe nga autoritetet ndërkombëtare kërkohet që të jenë kundër këtij plani./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne