Partitë politike në Kuvendin e Turqisë deklaratë të përbashkët për Jerusalemin

Përmes një deklarate të përbashkët të lexuar sot në Kuvendin e Turqisë (TBMM), partitë politike parlamentare të këtij vendi kanë refuzuar planin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga partitë parlamentare të Turqisë, AKP, CHP, MHP dhe HDP, thuhet se statusi i Jerusalemit nuk do të ndryshohet dhe se rezolutat e OKB-së nuk do të shkelen.

“Jerusalemi është kibleja jonë e parë, ndërsa së bashku me Haram al Sherifin (Kompleksin Aksa) dhe objektet e shenjta të tri feve qiellore, ka fituar identitet historik, kulturor dhe fetar dhe është thelb për mirëqenien botërore me këtë karakteristikë”, thuhet në deklaratë.

“Është e një rëndësie jetike të ruhet ky status i veçantë i Jerusalemit dhe të bëhet realitet i një bote paqësore me të gjitha ngjyrat”, theksohet më tej.

Partitë parlamentare kanë rikujtuar se OKB përmes rezolutave të miratuara nuk e ka pranuar kontrollin izraelit mbi Jerusalemin dhe okupimin e Jerusalemit Lindor, duke e cilësuar si të papranueshëm vendimin e SHBA-ve për ta njohur atë si kryeqytet të Izraelit.

“Ia njofojmë opinionit botëror vullnetin e Kuvendit të Turqisë për refuzim të padiskutueshëm të iniciativës aventureske për ndryshimin e statusit historik të Jerusalemit”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga partitë parlamentare të Turqisë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne