Pas afro 4 muajsh Ruanda lejon rihapjen e vendeve të adhurimit

Ruanda ka lejuar rihapjen e vendeve të adhurimit pas pothuajse katër muajve të mbylljes për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Dje, pas një takimi të kabinetit të kryesuar nga presidenti Paul Kagame u vendos se vendet e adhurimit “mund të rifillojnë shërbimet pas miratimit nga autoritetet lokale”.

Vendi i Afrikës Lindore ishte një nga shtetet e para në kontinent që vendosi një bllokim të rreptë.

Në mes të muajit maj, Ruanda lejoi lëvizje të kufizuar të qytetarëve dhe hapjen e biznesve, përfshirë restorantet dhe hotelet.

Megjithatë, në fuqi është një shtetrrethim mbarëkombëtar nga ora 21:00 në mbrëmje deri në orën 05:00 të mëngjesit. Palestrat dhe shkollat janë të mbyllura ndërsa mbajtja e maskës dhe distanca sociale është e detyrueshme për të gjithë në vendet publike.

Mbledhjet masive në shtëpi dhe vende publike si dhe aktivitetet e lojërave janë të ndaluara, ndërkohë baret dhe klubet e natës po ashtu mbeten të mbyllura.

Turizmi është burimi kryesor i të ardhurave për Ruandën, me vizitorë veçanërisht ecjet nëpër male. Prandaj, hotelet janë inkurajuar të marrin pjesë në “promovimin e turizmit të brendshëm” dhe të “ofrojnë shërbime konferencash me respektimin e udhëzimeve të shëndetit”.

Sipas Zyrës së kryeministrit, këto masa do të rishqyrtohen pas 15 ditëve pas një vlerësimi shëndetësor.

Sipas shifrave nga Universiteti “Johns Hopkins” me qendër në SHBA, vendi deri më tani ka regjistruar 1.435 raste të konfirmuara me COVID-19, përfshirë katër vdekje dhe 752 të shëruar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne