Shqiperia

Pas arrestimit dekani, pedagogët dhe sekserët e universitetit të Elbasanit dalin para gjykatës

Pas arrestimit të tyre, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Elbasan zhvillohet seanca e vlerësimit të masës së arrestit dhe masës së sigurisë për tre pedagogët, studentin e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” si dhe dy sekserët që u arrestuan në të gdhirë të së hënës së kësaj jave.

Prokurori i çështjes është Ritvan Sukaj dhe gjyqtare Enkeleda Kapedani. Arrestimi i tyre u bë nga Strukturat e DVP. Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë pas një operacioni të realizuar me metoda speciale të hetimit që kishte zgjatur disa muaj. Grupi i tyre kryente aktivitet në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës duke funksionuar në marrëdhënien dekan –pedagog-student dhe sekser në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në qytetin e Elbasanit.

Arrestimi i tyre u bë në të njëjtën kohë nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Gjatë Operacionit “Dekani” përfunduan në pranga:

1- Albert Riska, 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” , Elbasan.

2-Elvira Lumi, 54 vjeçe, banues në Elbasan, me detyrë Shefe e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”,Elbasan.

3-Erjola Calja, 29 vjeçe, banues në Gostime Cërrik, pedagoge e jashtme në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.

4-Petrit Kodra, 53 vjeç, banues në Elbasan, në rolin e sekserit.

5-Admirim Kala, 31 vjeç, banues në Tiranë, në rolin e sekserit.

6-Adem Ngjela, 51 vjeç, banues në Cërrik, në rolin e sekserit.

7-Marius Calja, 21 vjeç, banues në Gostime Cërrik, student.

OPINIONE