Shqiperia

Pas emisionit te Arian Çani, prokuroria e krimëve thërret Ramën si dëshmitar

Hetimet për çështjen “Tahiri” pritet të përfshijnë gjithë drejtuesit kryesorë të qeverisë. Burime për “Koha Jonë” thanë se Prokuroria për Krime të Rënda pritet të thërrasë në cilësinë e dëshmitarit kryeministrin Edi Rama. Fill pas emisionit te “Zonë e Lirë”, ku Rama tregoi disa detaje të pathëna më përpara, prokuroria e krimëve ka vendosur sonte të nis fletë thirrje edhe kryeministrit Edi Rama për të dëshmuar.

Prokuroria e akuzon Saimir Tahirin për “trafik droge” dhe “korrupsion”. Akuza vjen për shkak se dyshimet e prokurorisë ndaj Tahirit lidhen edhe me favorizimet që mund të ketë bërë si ministër për grupin kriminal që trafikonte drogë,  dhe që Kryeministri pritet të japë dëshminë e tij lidhur me vendimmarrjet e ish-drejtuesit të Ministrisë së Brendshme. Burimi tregon se mund të pyetet nëse ka patur dijeni rreth Habilajve dhe nëse ka patur informacione nga shërbimet e policisë për aktivitetin kriminal në fjalë, nëse Tahirit i ka dhënë urdhër për emërimin e drejtorit të policisë së Vlorës, etj.

Gjithashtu burime e “Koha Jonë” saktësojnë se pas kryeministrit Edi Rama, në cilësinë e personit që mund të japë informacione për aktivitetin e ish-ministrit, është dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Kreu i Policisë së Shtetit është personi me detyrë më të rëndësishme, pas ministrit, në hierarkinë e policisë. Për shkak se një pjesë e dyshimeve të prokurorisë lidhen me aktivitetin e Drejtorisë së Policisë në Vlorë, Çako do të jap informacione lidhur me ndikimin që ka pasur nga ish-ministri për emërimet apo ndryshimet në këtë komisariat. Por jo vetëm kaq.

Një tjetër politikan i rëndësishëm që do të thirret në Prokurorinë për Krime të Rënda është dhe ministri aktual, Fatmir Xhafaj. Ministri Xhafaj pritet të japë dëshmi lidhur me situatën që ka gjetur në Ministrinë e Brendshme dhe çështjet që mund të lidhen me akuzat për të cilat prokuroria akuzon ish-ministrin.

Tre zyrtarët e lartë pritet të thirren këto ditë nga prokurorët e çështjes “Tahiri”. Dje në Prokurorinë për Krime të Rënda u thirr për të dëshmuar ish-ministri Saimir Tahiri. Ndryshe nga Rama dhe zyrtarët e tjerë që do të thirren për dëshmi, ish-ministri është paraqitur dje para prokurorëve si person nën hetim. Dy ditë më parë, oficerët e Policisë Gjyqësore kryen kontrollin e banesës së ish-ministrit. Kontrolli erdhi pas votimit të së mërkurës në Kuvend, ku mazhoranca votoi që  prokuroria të zhvillonte hetime, por të mos arrestonte Saimir Tahirin. Prokurorët e çështjes kërkuan që Tahiri të arrestohej, pasi akuzohet për “trafik droge” dhe “korrupsion”. Kërkesa për arrestim u cilësua e pabazuar në prova nga ana e deputetëve të mazhorancës dhe u rrëzua në Kuvend. Çështja “Tahiri” nisi pas arrestimit në Itali të një organizate kriminale që trafikonte drogë. Mes të arrestuarve është dhe kushëriri i Saimir Tahirit, Moisi Habilaj. Nga përgjimet që ka kryer policia italiane për këtë bandë, rezulton se emri i ish-ministrit përmendet si përfitues i të ardhurave nga trafiku i drogës në shuma të mëdha. Gjithashtu rezulton se emri i ish-ministrit përmendet dhe si person që ndikonte në strukturat e policisë që banda të kryente aktivitetin pa u shqetësuar nga aksionet e forcave të rendit.

Saimir Tahiri i ka kundërshtuar publikisht akuzat dhe lidhjet e tij me kushërinjtë për trafik droge. Ndërkohë, Prokuroria pretendon se ka dyshime të arsyeshme se ish-ministri jo vetëm ka përfituar para në sasi të mëdha, por edhe ka favorizuar grupin e narkotrafikut në Vlorë si ministër i Brendshëm. Këto akuza janë ndër më të rëndat që janë bërë për një zyrtar të lartë të qeverisë shqiptare në këto 27 vite. Për këtë qëllim, prokuroria veç dokumenteve nga prokuroria italiane po mbledh të gjitha informacionet që mund të ndihmojnë hetimin në Shqipëri. Edhe pse akuzat dhe lidhjet direkte të ish-ministrit nuk janë provuar, fakti është se për 4 vite banda e “Habilajve” ka trafikuar disa tonë drogë nga Vlora drejt Italisë. Për këtë qëllim prokuroria ka nisur një hetim për drejtuesit e policisë që kanë ushtruar detyrën gjatë viteve të fundit në Qarkun Vlorë.

Ndërkohë thirrja e Kryeministrit për të dëshmuar duket se është paralajmëruar dhe në emisionin “Zonë e Lirë” në televizionin “Klan”. Gjatë intervistës Rama pranoi të inskenonte një përballje me një prokuror imagjinar (gazetarin Arian Çani) në studio, duke pranuar se ishte i gatshëm të paraqitej te organi i akuzës nëse kërkohej dëshmia e tij.

E bëri nxemjen Edi Rama te Çani për të shkuar në ditët në vijim te prokuroria e krimeve të rënda.

OPINIONE