Pas katër muaj pezullim, SHBA rifillon operacionet e vizave në Rusi

Konsullatat amerikane në tre qytete ruse do të rifillojnë intervistimin e aplikuesve për viza jomigruese javën e ardhshme.

Ky zhvillim vjen më pak se katër muaj pasi ato i kanë pezulluar këto operacione, si pasojë e urdhrit të Moskës për shkurtime të mëdha të stafit diplomatik të SHBA-së.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën, ambasada amerikane në Moskë tha se konsullatat në Shën Petersburg, Jekaterinburg dhe Vlladivostok “do të nisin me intervista të kufizuara për viza jomigruese” nga data 11 dhjetor.

“Siç e ka thënë ambasadori Jon Huntsman, ne duam që rusët të udhëtojnë në SHBA, të përjetojnë kulturën tonë, të studiojnë në universitetet tona dhe të bëjnë biznes me kompanitë amerikane”, thuhet në deklartë.

“Megjithatë, shërbimet e vizave nuk do të kthehen në nivelin që kanë qenë përpara kërkesës së pajustifikuar të Federatës Ruse që të reduktojmë në mënyrë dramatike numrin e personelit në ambasadën amerikane dhe në tri konsullatat tona”, thuhet po ashtu në deklaratë.

Kërkesa e Rusisë për zvogëlim të stafit diplomatik amerikan ka pasuar gjetjet e inteligjencës amerikane se Moska ka përdorur sulmet kibernetike dhe metoda të tjera për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA, në favor të zgjedhjes së Donald Trumpit president.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne