Pas planit me 7 pika, Idrizi: Basha dhe Rama të ulen urgjent për dialog! Është ulur Hashim Thaçi me Vuçiçin dhe jo dy liderët shqiptarë

I ftuar në “Intervistën e Mbrëmjes” në televizionin Ora News, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi fton kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës që të bashkohen në dialog, pasi sipas tij nëse nuk ndërhyhet tani kjo krizë politike mund të dali jashtë sistemit.

“Duhet të ulet urgjent Rama me Bashën, ja kemi detyrim shqiptarëve që mos ti lemë në këtë krizë e cila po del nga institucionet. Imagjinoni njerëzit janë të interesuar të dëgjojnë debate për ekonominë,  për taksat për aksesin në punësim dhe ne rrim se çfarë do të bëhet me këtë krizë që nëse nuk ndërhyhet sot ka mundësi që të ekstrapulohet dhe të dali jashtë sistemit dhe besoj që një president nga populli do të ishte një lloj garancia. Por meqë këtë nuk na u dha mundësia që  populli shqipitar të votojë për këtë gjë, atëherë një president i cili do të ishte konsensual, pra ne na ndërthuren dhe të gjitha afatet kushtetuese nëse nuk e zgjidhim sot dhe kjo është thirrja që ne kemi bërë, të ulet Rama me Bashën. Unë nuk e kuptoj ku është vështirësia këtu. Është ulur Hashim Thaçi me Vuçiçin dhe nuk ulen dy liderat shqiptarë.”, tha Idrizi.

Gjatë ditës së sotme, Idrizi publikoi një plan me 7 pika si një mënyrë për të zgjidhur krizën politike në vend.

7 propozimet:

Kthimin e Opozitës në Parlament për miratimin e akteve ligjore, që do i hapnin rrugën zbatimit të reformës në drejtësi, përparimit të vendit në integrimin evropian dhe realizimin e disa ndryshimeve në kuadër të legjislacionit zgjedhor dhe masave të tjera, për të siguruar atmosferë të qetë dhe të besueshme, për zgjedhjet e 18 qershorit.

Garantimin e rolit të paanshëm në zgjedhje të Policisë së Shtetit.

Ndryshimin e sistemit zgjedhor në sistem proporcional me një zonë zgjedhore, për krijimin e mundësive reale për të garuar forcat politike jashtë koalicioneve.

Depolitizimin e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, ose rritjen e numrit të anëtarëve në komisionet e numërimit, me përfaqësues të partive parlamentare.

Krijimin e një grupi të posaçëm me urdhër administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm, krijimin e një “task force” prokurorësh të atashuar pranë KQZ-së, e cila ka për detyrë të hetojë në mënyrë urgjente të gjitha sinjalizimet për blerje vote, kërcënim, intimidim, etj. Gjithashtu edhe dërgimin e çështjeve të lidhura me cënimin e procesit zgjedhor brenda 24 orësh në gjykatë, duke ashpërsuar masat për “krimin elektoral”.

Ngarkimin e një strukture inxhinierike konsensuale që do të përgatisë në mënyrë urgjente një projekt teknik, për variantet e mundshme të realizimit të numërimit elektronik, apo edhe vlerësimin e mundësive të realizimit të votimit elektronik, nëse ai konsiderohet i sigurtë dhe i mundshëm në kohë, në një procedurë të miratuar në mënyrë konsensuale nga të gjitha partitë parlamentare.

Thirrjen e tryezës së partive politike parlamentare për fillimin e dialogut, me qëllim miratimin e një kandidature konsensuale si President të Republikës së Shqipërisë.?OraNews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne