Rajoni

Pas Preshevës edhe Sanxhaku teston nervat e Beogradit zyrtar

A e ka njohur Sanxhaku Kosovën? Me këtë pyetje e niste sot raportimin e vet agjencia serbe e lajmeve “B92”, mbi një akt të Këshillit Kombëtar Boshnjak, i cili përmes kryetarit të vet, Sulejman Ugljanin ka ftuar Behgjet Pacollin, në cilësinë e zv.kryeministrit dhe ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës të marrë pjesë në punimet e këshillit në Novi Pazar.

Për median serbe ky akt përbën njohje të një statusi të Kosovës të cilin nuk e njeh Serbia, duke dalë kështu me një qëndrim të tjetërsuar të politikës së jashtme. Takimi mbahet në datat 21-22 korrik dhe vetë Paçolli citohet të jetë shprehur se do të udhëtojë aty nëse autoritetet serbe japin leje.

Situata ka krijuar konfuzionin e zakonshëm kur letra në fjalë është interpretuar si politikë përfaqësimi nga përfaqësuesi serb, Milovan Drecun, sipas të cilit Ugljanin nuk ka të drejtë të flasë në emër të qytetarëve të Raska-Polimlje(Sanxhaku) veçanërisht në emër të serbëve që jetojnë aty

Ai ka akuzuar politikanin boshnjak se përpiqet në vijimësi për të destabilizuar Sanxhakun, një provincë e Serbisë ku jetojnë një shumicë myslimanësh. Komente ka bërë edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, sipas të cilit kjo është pjesë e një fushate që synon dëmtimin e shtetit serb. Ministri ka shtuar se vizita e Paçollit nuk është e mirëpritur, njësoj sikurse nuk ishte e mirëpritur në Kosovë vizita e Marko Gjuriç pak muaj më parë.
Deklarata boshnjake vjen pak ditë pasi shqiptarë të Luginës së Preshevës kërkuan të përfaqësohen në dialogun Serbi-Kosovë përmes presidentit kosovar, Hashim Thaçi, një akt që e vendos Serbinë në pozita të dobësuara dhe kompenson politikën e saj agresive për komunat serbe në Kosovë.

Sanxhaku është një provincë problematike për Serbinë. Në vitin 2017 presidenti serb Vuçiç shoqëroi aty homologun turk, Erdogan i cili u prit nga mijëra qytetarë të rajonit. U analizua asokohe se politika e Vuçiç në rajon ishte ajo e dorëzimit të një lloj kontrolli të Turqisë në këmbim të qetësisë në një rajon që ka rëndësi strategjike dhe mund të përbëjë shkak për probleme shumë të thella për Beogradin zyrtar që deri më tani ja ka dalë ta mbajë atë në qetësi.

OPINIONE