nga Patrick Wintour.
Kundërshtimet evropiane i kanë detyruar Shtetet e Bashkuara që të tërheqin planet e tyre për organizimin e një konferencë dy-ditore në Poloni që do të fokusohej në ndërtimin e një koalicioni global kundër Iranit.
Konferenca tani po përshkruhet si një tubim i gjerë me ide mbi Lindjen e Mesme.
Në njoftimin mbi samitin që u fol herët këtë muaj, sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo kishte thënë në mënyrë të qartë se qëllimi i samitit ishte të përqëndrohej në ndikimin dhe terrorizmin e Iranit në rajon.
Por njoftimi i përbashkët zyrtar i samitit nuk e përmendi Iranin, duke theksuar në këtë mënyrë vetëm çështje të lidhura me Iranin: “terrorizmi dhe ekstremizmi, zhvillimi dhe përhapja e raketave, tregtia dhe siguria detare dhe kërcënimet e paraqitura nga grupet e ndryshme në të gjithë rajonin”.
Ndryshimi i theksit vjen pas sinjaleve se shumë vende evropiane, përfshirë shefen e punëve të jashtme të BE-së, Federica Mogherini do ta shmangin eventin dy ditor më 12 dhe 13 shkurt, ku në vend të tij ajo do të marrë pjesë në forumin e sigurisë në Mynih.
SHBA-ja po përpiqet të bindë BE-në që të braktisë mbështetjen e saj për marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe po përdor kërcënimet me sanksione sekondare për ti detyruar kompanitë e BE-së që të mos tregtojnë me Iranin.
Britania e Madhe është një nga vendet që po diskutohet më shumë për mos pjesëmarrje në konferencën polake pasi Mbretëria e Bashkuar tradicionalisht ka qëndruar pranë Polonisë dhe SHBA-së, por po qëndron gjithashtu edhe ne krah të marrëveshjes bërthamore të Iranit.
Ndryshimi i rendit të ditës se konferencës mund ta bëjë më të lehtë pjesmarrjen e Mbretërisë së Bashkuar. Jonathan Cohen, përfaqësuesi i SHBA-së në OKB, e përshkroi shtrirjen e diskutimeve në shumë fusha më të gjera se cështjet e disa vendeve”. Ai tha se do të ishte një “tubim i ideve globale” dhe theksoi se “nuk do të ishte vendi për të demonizuar apo sulmuar Iranin”.
Çështje të tilla si kriza humanitare në Siri dhe Jemen, zhvillimi i raketave dhe siguria kibernetike janë ato që do të diskutohen, tha Cohen në këshillin e sigurimit të OKB-së.
E dërguara polake në OKB Joanna Wronecka gjithashtu tha se konferenca ministrore në Varshavë do tu sjellë “vlerë të shtuara përpjekjeve për paqen në Lindjen e Mesme duke krijuar një vizion pozitiv për rajonin”. Ajo tha se ishin ftuar 70 vende nga e gjithë bota, por theksoi se samiti do të adresojë “një seri çështjesh që prekin në të gjithë rajonin. Ne nuk synojmë të përqendrohemi në vende të veçanta gjatë konferencës”.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Polonisë Maciej Lang udhëtoi këtë javë në Iran për ta siguruar Teheranin, ndërsa të mërkurën Polonia tha se mund ta shtonte Iranin në listën e të ftuarve.
Irani është skeptik për SHBA-në pasi mendon se amerikanëve nuk u intereson gjë tjetër përveç se një takimi dy-ditor kundër Iranit.
Rusia tashmë ka thënë se nuk do të marrë pjesë në samit. Samiti duket se do të ketë një bojkot edhe më të gjerë dhe pjesëmarrje të zyrtarëve të niveleve të ulëta, gjë që do të demonstronte një izolimin ndërkombëtar për Shtetet e Bashkuara.
Ministri i Jashtëm i Iranit Javad Zarif shkroi në Twitter se vendi i tij kishte mirëpritur mbi 100,000 refugjatë polakë gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Qeveria polake nuk mund të lajë turpin: ndërkohë që Irani dikur shpëtoi polakët në Luftën e Dytë Botërore, Polonia tani ai po zhvillon një cirk të dëshpëruar anti-Iran”.
Shtetet evropiane kanë mbetur kryesisht të bashkuar lidhur me marrëveshjen bërthamore, megjithëse u është lëkundur durimi me testimet e raketave balistike iraniane.
Samiti mund të shërbejë gjithashtu edhe si mjet për të nxjerrë në pah pamundësinë e BE-së për të ngritur një “mekanizëm për qëllime të veçanta” (SPV) që do të shërbejë si një urë për të trajtuar transaksionet financiare dhe për të anashkaluar sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.
SPV është shtyre për muaj të tërë.
Aleanca e re BE-Iran ka vuajtur për shkak të akuzave se Irani qëndron pas komploteve për vrasje në tokën evropiane, një çështje që po ndiqet nga qeveritë holandeze dhe daneze./theguardian/Gazeta Impakt