Pastrimi në Tiranë, KLSH gjen shkelje: U favorizua kompania “Fusha”

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar raportin përfundimtar për auditimin në “Tirana Parking”, Bashkia Tiranë, ku janë konstatuar një sërë shkeljesh të rregullave të prokurimit publik dhe përqendrim i fondeve publike drejt një kompanie të vetme.

Pikërisht “Fusha.sh.p.k” e cila ka fituar një sërë tenderash në Bashkinë e Tiranës, përfshirë Sheshin Skënderbej.

Në raportin e KLSH, thuhet se “nga verifikimi rezultoi se Tirana Parking, për vitin 2018, ka zhvilluar gjithsej 16 procedura prokurimi, dhe me përjashtim të blerjeve me vlerë të vogël, në 5 procedura ka patur vetëm një operator ekonomik, pjesëmarrës.

Ndërsa në dy procedura rezultojnë operatorë ekonomik me ofertë më të ulët që janë skualifikuar”.

Për vitin 2018, vlera më e lartë e prokuruar dhe e fituar është në shumën 8 568 981 lekë pa tvsh në tenderin me objekt “Shërbime të pastrimit dhe gjelbërimit”, me referencë 49171, zhvilluar më datë 15/03/2018 ku është shpallur fitues operatori i vetëm në garë “Fusha shpk”.

Në dokumentacionin e administruar në dosjen e sistemit të prokurimit elektronik në APP (Ref.49-171) procedura me objekt; Shërbime të pastrimit dhe gjelbërimit në sheshe mbi e nën tokë e terminale” u konstatuan mospërputhje me kërkesat ligjore në fuqi konkretisht;

-Nëpërmjet njoftimit të fituesit datë 06.03.2018 konstatohet se, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka kualifikuar dhe shpallur fituese ofertën ekonomike e paraqitur e vetme në konkurrim nga “Fusha shpk” me vlerë 8,798,873 lekë pa tvsh, me argumentin se: kjo ofertë ka plotësuar të gjitha “Kriteret për kualifikim”.

Nga auditimi dokumentacionit i administruar në dosjen e procedurës e pasqyruar në sistemin e prokurimit elektronik në APP konstatohet se; KVO ka kualifikuar ofertën e vetme në konkurrim, ndërsa referuar në dokumentet e dorëzuara kjo ofertë e vetme e shpallur fituese, nuk i plotëson kërkesat kualifikuese të parashikuar më analitike paraqiten sa më poshtë;

-për shtojca (9) “Specifikime teknike”; pika (3).

Fshirja e Shesheve dhe Terminaleve me makineri teknologjike, nënpika 3.5“Mjetet dhe pajisjet”; gërma (a) “Makina teknologjike për fshirjen e shesheve dhe terminaleve, me kapacitet mbajtës 4-6 m3, te pajisura me 2 fshesa anësore (majtas dhe djathtas) dhe një fshesë qendrore rrul, sistem thithës të pluhurave (aspirator) dhe sistem spërkatje me ujë gjatë punës, mundësisht me tub aspirimi të jashtëm thithës, i vitit të prodhimit jo më poshtë se 2010”, si dhe “Kritere te veçanta të kualifikimit”,

pika 3.2 “Kapaciteti teknik”, pika.12 “OE” duhet të paraqesë deklaratë me shkrim se mjetet e paraqitura janë në përputhje me specifikimet teknike pjesë përbërëse e këtyre dokumente tenderi”, ndërsa rezulton se;

OE i vetëm në konkurrim me dokumentet kualifikuese bashkëlidhur me ofertë ekonomike ka paraqitur;

-mjetin teknologjik për fshirje me foto e targë AA833NF prodhim i vitit 2007, ndërsa kërkohet detyrimisht prodhim i vitit jo më poshtë se 2010, njëkohësisht ky mjet nuk ka të instaluar fshesë qendrore dhe aspirator thithje, për pasojë nuk plotëson kërkesat në DST.

-mjetin me foto dhe targë AA205TC kamionçinë me kazan të mbyllur, ndërsa nuk është hermetik, për pasojë nuk plotëson kërkesat në DST, etj.

Sipas KLSH-së: Në këto kushte, për mangësi në plotësimin e kërkesave kualifikuese, procedura e prokurimit duhej të ishte anuluar për mungesë konkurrencë, pasi në garë nuk duhej të ngelej asnjë ofertë e vlefshme, në mospërputhje me kërkesat e parashikuara nga ligji nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar, neni 2 “Parimet e përzgjedhjes”, neni 20 “Mosdiskriminimi”,

neni 46 “Kualifikimi i ofertuesve”, neni 52 “Hapja e ofertave” pika (1); (6), neni 53 “Shqyrtimi i ofertave”, neni 54 “Alternativat”, neni 55 “Kriteret e përcaktimit të ofertës fituese” dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” i ndryshuar, Kreu (VII) “Zyrtarët e prokurimit dhe zhvillimi i procedurave”; neni 64 “Hapja e ofertave”; neni 66 “Shqyrtimi dhe vlerësimi i ofertave”; neni 67 “Klasifikimi i ofertave”; neni 68 “Raporti përmbledhës”;

Kreu (VIII) “Kushte të përgjithshme për zbatim”, neni 73 “Mungesa e konkurrencës”, neni 74 “Bashkimi i operatorëve ekonomikë”, për këtë ngarkohet me përgjegjësi Komisioni Vlerësimit të Ofertave.

Auditimi u krye në bazë të programit të auditimit nr. 34285/1, datë 25.10.2018, dhe përfshiu 2 periudha buxhetore, viti 2016 dhe viti 2017 përqendruar kryesisht në tre drejtime, vlerësimi i funksionimit të kontrolleve të brendshme, veprimtaria kontabël dhe saktësia e paraqitjes së pasqyrave financiare dhe përputhshmëria e procedurave të prokurimit publik me kërkesat dhe kriteret e kuadrit rregullator në fuqi.

Përgjithësisht nga auditimi janë evidentuar dhe adresuar 18 gjetje në total dhe mbi bazën e tyre janë dhënë 12 rekomandime me prioritet të lartë dhe 5 rekomandime me prioritet të mesëm./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne