PD çpluhuros deklaratën e KSBE-së, të nënshkruar edhe nga Bashkimi Sovjetik, për të justifikuar qeveri teknike me PS-në

Partia Demokratike po e thellon retorikën jsutifikuese për kërkesën për një qeveri teknike, ngritur në bashkëpunim me Partinë Socialiste, para zgjedhjeve të ardhshme.

Kjo retorikë u shpalos edhe dje. PD shpërndau në media një kalendar, të dakordësuar me PS-në, të diskutimit të çështjeve kryesore të reformës zgjedhore, shoqëruar me dy vlerësime të shkurtra se çfarë mund e çfarë nuk mund të arrijë reforma zgjedhore.

Nga teksti i dokumentit kuptohen dy gjëra. E para se nuk do të ndryshohet asgjë thelbësore: nuk do të ndryshojë sistemi, nuk do të ketë votim elektronik, nuk do të reformohet financimi i partive, nuk do të lehtësohen referendumet. Reforma do të përqendrohet në çështje teknike e administrative.

Mosndryshimi është justifikuar me arsyen se “disa çështje [zgjedhore] mund të kërkojnë më shumë kohë, si çështja e referendumeve dhe ligji për financimin e partive politike apo mund të prekin kushtetutën dhe kërkojnë një debat më të gjerë apo rrugë miratimi tjetër”.

Mungesa e ndryshimeve thelbësore zgjedhore, krijon idenë se PD është përfshirë në reformën zgjedhore, jo për të reformuar sistemin, por për ta përdorur si justifikim të ri për kërkesën e vjetër për qeveri teknike për administrimin e zgjedhjeve.

Kjo është gjëja e dytë që kuptohet nga dokumenti. Një paragraf i tij, i theksuar me të zezë nga PD, shprehet:

Parakusht që këto masa të jenë efikase, është krijimi i një fushe loje të barabartë nëpërmjet zbatimit të plotë të parimit të “ndarjes së shtetit nga partitë politike” në përputhje me Angazhimin e OSBE-së të parashikuar nga paragrafi 5.4 i Dokumentit të Kopenhagenit.

Ky pohim mund të përkthehet: reforma zgjedhore nuk mund të zbatohet nga një qeveri partiake e Partisë Socialiste, prandaj duhet të krijohet një qeveri jopartiake.

Këtë kërkesë, PD tani po e justifikon me një nga parimet themelore të deklaratës së Kopenhagenit të ish-Konferencës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë (KSBE), pararendësja e OSBE-së së sotme.

Deklarata e KSBE-së, e qershorit 1990, u nënshkrua nga një sërë vendesh demokratike perëndimore, por edhe nga nga Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia dhe vende të tjera të Europës Lindore ende nën komunizëm apo të sapo dala prej tij.

Deklarata e Kopehagenit ishte arritje e madhe për vlerat perëndimore, pasi i shpalli ato parime universale të pranuara edhe nga bota komuniste, veçanërisht parimin e zgjedhjeve të lira dhe atë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, përfshi të drejtat e minoriteteve.

Një nga parimet e përmendura në dokument është ai që citon PD, “ndarja e partive politike nga shteti”, i cili nënkuptonte heqjen e kontrollit total të partive (komuniste) ndaj shtetit në vendet e atëhershme komuniste.

PD e ka risjellë dje në vëmendje këtë parim. Ndonëse ai mund të quhet i përmbushur në Shqipëri, qysh me pluralizmin dhe organizimin demokratik kushtetues të vendit, ka vend të argumentohet për uljen e rolit të partive në disa institucione që ende administrohen mbi baza partiake.

Për shembull, është e domosdoshme që zgjedhjet të administrohen në mënyrë të pavarur dhe profesionale— 30 vjet pas komunizmit, Shqipëria mbetet një rast i rrallë në Europë ku zgjedhjet i administrojnë komisione partiake.

Po ashtu është e domosdoshme që administrata publike të mos jetë zyrë punësimi për militantët, por trupë profesioniste dhe moderne. Edhe pse punësimet partiake janë të ndaluara me ligj, partitë shqiptare kanë shpikur një arsenal makinacionesh për të mbushur administratën me militantët e tyre sa herë që vinë në pushtet—kjo është një nga arsyet e korrupsionit dhe keqqeverisjes së vendit.

Por PD nuk ka parasysh këto reforma departizimi kur evokon parimin e “ndarjes së partive politike nga shteti”.

Përkundrazi, PD është shprehur kundër administrimit jopartiak të zgjedhjeve, të cilin e ka propozuar për përfitime e saj PS-ja. (Ky synim mund të jetë arsyeja pse PS ka rënë dakord për të permendur parimin e Kopenhagenit në dokumentin e dakordësuar me PD-në).

PD nuk është as kundër punësimeve partiake në administratën publike—jo vetëm sepse ka nevojë politike të shpërblejë militantët e saj, por edhe sepse, pa garancinë e punësimeve partiake, nuk mund të sigurojë një koalicion zgjedhor me aleatët.

Pra, PD është kundër ndarjes së partisë nga shteti në ato institucione ku kjo gjë është domosdoshmëri. Atëherë, pse po evokon ajo këtë parim të hershëm të KSBE-së? Mund të ketë një shpjegim pragmatik.

Sikurse ka artikuluar në publik, PD tashmë ka kërkuar si pjesë të reformës zgjedhore krijimin, në marrëveshje me shumicën socialiste, të një qeverie teknike për administrimin e zgjedhjeve.

Përkundër përvojës, PD vazhdon të besojë, në mënyrë të pakuptueshme, se një qeveri e tillë teknike, kalimtare apo kujdestare do të mund të garantojë mosvjedhjen e zgjedhjeve nga Edi Rama.

PD di, gjithashtu, se kjo ide mund të mos pritet mirë nga publiku, veçanërisht elektorati gri, prandaj ajo po kërkon t’i japë zgjedhjes së saj baza parimore.

Për këtë qëllim duket se ajo çplurosi, dje, Deklaratën e KSBE-së të vitit 1990.

Neritan Sejamini /Exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne