PD kallëzon në Prokurori projektin e Unazës së Re: Të pezullohen punimet

Partia Demokratike kallëzoi sot në prokurori projektin e Unazës së Re dhe kërkoi pezullimin e punimeve deri në përfundim të hetimeve.

Kallëzimin e PD-së e paraqiti ish-deputeti Klevis Balliu dhe Sekretari për Çështjet Ligjore Çlirim Gjata. Zoti Balliu tha për mediat se “projekti ka qëllim kullat, vjedhjet dhe jo rrugën”:

“Unë ju bëj një pyetje […] si ka mundësi që kompania Salillari e cila është aktualisht nën hetim tek Loti 2, ka fituar tenderin tek Loti 1, i të njëjtit projekt?”

PD thotë se në projektin e Unazës së Re janë shkelur ligji për sponsorizimet, ligji për ndërtimet e veprave publike dhe nuk është bërë konsultimi me qytetarët.

Ish-deputeti Balliu tha se “kompania AVE Consulting ka bërë studimin teknik pa pasur gjeodet dhe në punën e saj ishte në konflikt interesi pasi më parë ishte kontraktuar për të përmbyllur procedurat e legalizimit të objekteve informale”.

Përfaqësuesit e PD-së i kërkuan Prokurorisë hetimin e plotë dhe pezullimin e punimeve siç u bë në rastin e falsifikimeve nga kompania DH Albania./exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne