PD këmbëngul: KQZ manipuloi zgjedhjet, shtoi 280 mijë votues

Partia Demokratike vazhdon të këmbëngulë se 85% e shqiptarëve i bojkotuan zgjedhjet e 30 qershorit. Në një dalje për shtyp sekretari për çështjet zgjedhore, Ivi Kaso theksoi se KQZ i rriti me 280 mijë vota të dhënat e pjesëmarrësve në votime duke mos përcjellë rezultatet e çdo kutie votimi.

Në daljen e tij për shtyp Kaso tha:

Komisionerët socialistë, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të vjedhjeve kanë rritur pjesëmarrjen me 8 përqind, që do të thotë se kanë mbushur kutitë, duke shtuar rreth 280 mijë vota në të gjithë vendin. Ata nuk kanë ruajtur dot as shifrën zyrtare të dhënë nga vetë Komisioni natën e 30 Qershorit.

Deklarata e Kasos erdhi pasi KQZ njoftoi zyrtarisht se numri i përgjithshëm i pjesëmarrjes në zgjedhjet e 30 qershorit kishte qenë 812,249 (22.97%).

Kaso akuzoi se KQZ “nuk i shërben zgjedhjeve”, por “vjedhjes”. Ai vazhdoi më tej duke thënë se “KQZ nuk i hodhi online të dhënat e pjesëmarrjes që më 30 qershor, për të mos lënë gjurmë” dhe se “gjatë gjithë procesit të numërimit nuk u publikua asnjë tabelë me rezultatet e kutive” gjë që sipas demokratëve i bën shifrat e KQZ të kontestueshme.

Sekretari i PD-ës e përfundoi daljen e tij për shtyp duke thënë se të dhënat e KQZ-ës dhe sjellja e saj “tregon se ky është një proces i manipuluar, i paligjshëm dhe antikushtetues” për të cilin Kaso këmbënguli se kushdo që është përfshirë në të “do të mbajnë përgjegjësi penale”./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne