Shqiperia

PD – Kush i ka hedhur prej kohësh benzinë zjarrit që po djeg të gjithë partinë

Dilemat dhe enigmat përsa i takon autorësisë së “shprishjes” dhe përçarjes së fortë brenda Partisë Demokratike, kanë diferencuar opinionin demokrat dhe më gjerë atë shqipëtar, duke i ndarë në dy apo tre fronte.
Në frontin e parë gjenden numerikisht, më të shumtët. Ata që i përmbahen normave dhe juridiksionit të nëpërkëmbur të demokracisë dhe standardeve të barazisë brenda PD. Në këtë front diskutimin e mbajnë të gjallë ata që mendojnë dhe besojnë se zgjidhja e vërtëtë do të vinte me dorheqjen e Lulzim Bashës. Pasi sipas eksponentëve të këtij “fronti”, është pikërisht Basha përgjegjës për rënimin strukturor dhe përçarjen brenda rradhëve të PD-së.
Në frontin e dytë kemi një tjetë grupim idesh dhe mendimesh krejt të kundërt në qëndrime me “frontin” e parë. Kjo pjesë e popullit demokrat dhe jo vetëm, dalin në mbrojtje të hapur të Z.Basha, dhe programit të tij elektoral dhe organizativ brenda PD. Në këtë rast ata gjejnë vend për të sulmuar kundërshtarët e drejpërdrejtë të Bashës. Ata që me zë e figurë u deklaruan kundër kreut të partisë së tyre e rrjedhimisht, u autofraksionuan duke marrë dashur padashur, pas vetes mbështetësit e tyre besnik. Kjo sigurisht që ndikoi numerikisht në rezultanin përfundimtar të zgjedhjeve.
Një tjetër front qëndrimesh, i ndodhur paksa mbi palët e lartpërmendura, është ajo pjesë e popullit demokrat të trembur e zhgënjyer nga kacafytjet për çështje të paqarta, pas dyerve të selisë blu. Ky grupin edhe pse i vogël, nuk do të qe kundra një bashkjetese të PD-së brenda një koalicioni qeverisës me PS-në. Nëse kjo do të shkurtonte ndjeshëm rrugën e vendit për në Europë, atëherëpse të mos i garantohet ky shërbim thuajse patriotik popullit.
Të treja këto grupime, përpos të tjerash, i konfrontojnë idetë dhe argumentat e tyre, mbi një pyetjetë vetme. Kush e “prishi” PD-në? Akuzohet me të madhe Basha, por opinioni publik dhe oponentët aktualë të Bashës në selinë blu, e kanë të qartë se protezheja i kujt ka qenë dhe është kryetari me pozita të ngrira i të djathtës.
Pikërisht i Sali Berishës. Kështu pra mund të thuhet se ata që akuzojnë kryetarin aktual, indirekt hedhin baltë mbi liderin historik. Por çuditërisht askush nuk i formuloi këto akuza qoftë edhe për së largu, për plotë katër vite, derisa Partia Demokratike u gjend e plandosur përdhe institucionalisht.
Përse reformimi nuk u kërkua më herët? Përse kundërshtarët brenda rradhëve nuk i bënë publike kërkesat për demokraci të brendshme.
Kjo është fare e qartë. Demokracia brenda dyerve të asaj selie, si edhe brenda dyerve të shumë selive partiake në shqipëri, është thjesht një fjalë goje. Propagandohet dhe indoktrinohen ndjekësit me këtë fjalë, por për vite me rradhë, kemi po të njëjtët kryetarë partishë e po të njëjtët deputetë. Pra ky nuk është thjesht dhe vetëm një problem njëpartiak, por një problem social-politik.
Si argumentohet kjo që porsa u tha? Edhe Z.Berisha, në momentin që dha dorëheqjen zyrtarisht, nuk kreu asgjë më shume se sa një “grirje” alla Basha, të funksioneve të tij. Më pas u tërhoq, për të vijuar të udhehiqte në hije. Koha e vërtetoi këtë. Rrjedhimisht për fatin e keq të PD-së, opozitës dhe të djathtës shqiptare në tërësi, kriza e fortë dhe rënimi i pjesshëm u parashikuan shumë më herët, vite më parë, kur kreu i Partisë Demokratike, është etiketuar me mijëra herë publikisht si “kukulla” e Berishës. Tashmë jo të gjithë këtë e konsiderojnë thjesht si një sulm të ulët politik. Por çuditërisht pakkush drejton gishtin e akuzës drejt Berishës, si detonator i shpartallimit politik të emrave më të medhej të PD-së, e si rënues i një force që deri para pak kohësh konsiderohej si më e madhja në vend. Kjo ndoshta për të vetmen arsye se brenda vetes nuk e gjeti aftësinë për tu tërhequr vertët nga pozitat e tij politike atëherë kur duhej.

OPINIONE