PD: Rama e dinte për të shkuarën kriminale të kryebashkiakut të Vorës

Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Rama se ka qenë në dijeni të së shkuarës kriminale të kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku, e megjithatë ka zgjedhur ta kandidojë atë në shkelje të ligjit të dekriminalizimit.

Një ditë pasi PD i kërkoi prokurorisë të hetojë të shkuarën e Kajmakut, pasi ka dyshime se ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit një dënim në Greqi, Sekretari për Çështjet Ligjore në PD Çlirim Gjata tha se kryeministri Rama ‘ka bekuar’ kandidimin e Agim Kajmakut në Vorë:

‘Njësoj si për Valdrin Pjetrin, Edi Rama e di se edhe Agim Kajmaku i Vorës ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit dhe duhet të japë menjëherë dorëheqjen e të përballet me drejtësinë!

Ky është një fakt që Edi Rama e di shumë mirë, madje ai e ka bekuar fshehjen e precedentit penal të Agim Kajmakut. Pas Valdrin Pjetrit, Edi Rama po përpiqet të blejë kohë për kriminelin tjetër që i është zbuluar në bashki, këtë herë, duke fallsfikuar dokumentat shtetërorë, siç është formulari i dekriminalizimit.”

Sipas opozitës, Kajmaku është i përzgjedhuri i kryeministrit Rama dhe ministrës së Infrastrukturës Belinda Balluku.

Zoti Gjata i drejtoi disa pyetje Kryeministrit Rama, Ministres Balluku dhe Kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku:

“A është arrestuar ndonjëherë në Greqi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto?

A është dënuar, dëbuar, arrestuar dhe shpallur në kërkim ndonjëherë në Greqi për vepra penale të rënda dhe a e ka fshehur këtë fakt në vetedeklarimin e dekriminalizimit?

A ka çështje të hapur penale përfaqësuesi i Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në Greqi?

Pse Edi Rama dhe Belinda Balluku vendosën veton duke shpërfillur PS të Vorës, kur socialistët protestuan para 30 Qershorit për kryebashkiakun me probleme të Ramës dhe Ballukut?”

Një ditë më parë, PD akuzoi Agim Kajmakun se ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit një dënim të marrë në Greqi.

Menjëherë ndaj këtyre akuzave ka reaguar Agim Kajmaku, i cili pranoi se ka ndryshuar emrin gjatë kohës kur ka emigruar në Greqi, por theksoi se është “krejtësisht i pastër”.

Në rast se akuzat e opozitës verifikohen nga prokuroria, Agim Kajmaku do të ishte kryebashkiaku i dytë i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, pas Valdrin Pjetrit, që kapet nga ligji i dekriminalizimit./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne