PD: Tenderi Kardhiq-Delvinë me të njëjtën skemë korruptive si për Unazën e Madhe

Në një dalje për mediat ish-deputetja e PD Jorida Tabaku e krahasoi tenderin Kardhiq-Delvinë me atë të Unazës së Madhe në Tiranë, ku një kompani guaskë dhe me dokumenta false u përpoq të fitonte 20 milionë euro punime publike.

Por në rastin konkret, Tabaku tha se “për të marrë tendera në shkelje të ligjit, konkurrencës dhe procedurave, kompanitë Gjoka Konstruksion dhe Vëllezërit Hysa favorizoheshin nga drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato dhe Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku”.

Qato u dorëhoq të enjten si drojtëreshë e ARRSH pasi kompania Gjoka ngriti padi për shpërdorim detyre në dy skualifikimet që ARRSH i kishte bërë në tenderin për tunelin në rrugën Kardhiq-Delvinë. Fillimisht për mungesë dokumentacioni e mos-pagim taksash e më pas për falsifikim dokumentesh.

Prej skualifikimit të Gjokës shpallej fituese bashkimi i disa kompanive me kompaninë Sulova, e cila kishte ofertën më të lartë, 18.9 milionë euro, rreth 98.5 për qind të fondit të vënë në dispozicion nga qeveria.

Mirëpo Ministria e Infrastrukturës ndërhyri dhe e anuloi tenderin duke u justifikuar se kishte “projekte të tjera më emergjente”.

Për këtë çështje ish-deputetja Tabaku tha:

Lufta gati 2 mujore për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë vuri përballë Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe Drejtoreshën e ARRSH, Sonila Qato, mes të cilave u prish pazari për kompaninë që do të fitonte miliona euro për 1 kilometër tunel. Të dyja kompanitë janë kliente të preferuara të qeverisë së Edi Ramës, Gjoka Konstruksion, e koncesionit kriminal të Rrugës së Arbrit dhe Vëllezërit Hysa, e njohur si kompania fasadë tek tenderi i parë i Unazës së Re.

Tabaku argumentoi duke publikuar disa dokumente se pas kompanive Sulova dhe IRCOP, që ishin bashkë në tenderin e tunelit Kardhiq-Delvinë, fshihej kompania Vëllezërit Hysa, e cila kishte fituar nga ana tjetër tenderin e fundit për Sheshin Shqiponja:

Dokumentet tregojnë se ato (Sulova, IRCOP, Vëllezërit Hysa) kanë të njëjtën adresë, të njëjtat numra telefoni. Ato drejtohen nga të njëjtët njerëz, që punojnë për Vëllezërit Hysa. Kjo është e njëjta skemë mashtrimi si tek Unaza e Re me Dh Albania.

Në mënyrë që të fitonin dy tendera njëkohësisht (Sheshin Shqiponja dhe tunelin në Kardhiq-Delvinë), 40 milion euro, Vëllezërit Hysa përdorën kompanitë e tjera (Sulova, IRCOP), duke fshehur identitetin si në skemën e DH Albanias.

Demokratët theksuan se ky veprim është skemë mashtruese, që dënohet me ligj, por megjithatë është toleruar nga ARRSH dhe Ministria e Infrastrukturës. Por përveç kësaj PD denoncoi edhe veprime të tjera të jashtëligjshme:

Dokumentat që disponojmë tregojnë se ARRSH-ja ka punuar, në kundërshtim me ligjin, për favorizime, që nga modifikimi i kritereve gjatë garës, deri tek  shtyrja e hapjes së ofertave, në mënyrë që dega e kompanisë  italiane (IRCOP), e cila punonte për Vëllezërit Hysa, të pajisej me një licensë teknike, pa të cilën konsorciumi fasadë, skualifikohej.

Joana Myzeqari figuron aplikuese për leje minerare për Vëllezërit Hysa, por edhe si person kontakti për kompaninë IRCOP.
Kompania Sulova deklaron të njëjtën adresë dhe numër kontakti me atë të kompanisë Vëllezërit Hysa.

PD e cilësoi ish-drejtoreshën Sonila Qato të përfshirë në këtë sekmë korruptive po aq sa Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku apo dhe Kryeministri Edi Rama:

Një grup inspektimi i Sonila Qatos 10 ditë para anullimit të tenderit (Kardhiq-Delvinë), raportoi se Gjoka ka falsifikuar të dhënat e punimeve në Rrugën e Arbrit dhe nuk i ka kryer këto punime në masën 20% për t’u kualifikuar në tenderin e Kardhiq- Delvinës.

Falsifikimi është bërë në bashkëpunim me firmën që mbikqyr punimet tek Rruga e Arbrit dhe me të cilën Gjoka ka hyrë si ortake në tenderin e Kardhiq-Delvinës. Ky konflikt interesi ndalohet me ligj.

Bërja publike e konfliktit mes anëtarëve të bandës se kush do të merrte pjesën e korrupsionit, e detyroi Edi Ramën të anulojë tenderin, njësoj siç bëri me anulimin e parë të tenderit tek Unaza e Re, kur iu zbulua skema e vjedhjes me kompaninë fantazëm Dh Albania.

Kompania që i mbikëqyrte punimet Gjoka Konstruksionit në Rrugën e Arbrit hyn në ortakëri për të marrë tenderin e tunelit në Kardhiq-Delvinë.

Dh-Albania ishte një nga kompanitë që fitoi tenderin për ndërtimin e Unazës së Madhe. Mirëpo fakte u nxorën në media se kjo kompani, e favorizuar nga institucionet shqiptare, kishte fituar tenderin me falsifikim dokumentash.

Kur kishte bërë aplikim për licencë ndërtimi më 13 korrik 2018, ajo nuk ishte ende e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Dh-Albania përfaqësohej nga 26-vjeçari Avdjol Dobi, familjar i zotëruesve të kompanisë Gener 2./ EXIT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne