Shqiperia

PDIU, Lindita Nikollës: Je e çmendur, ndryshe nuk shpjegohet reforma jote

Përveç opozitës, duket se qeveria dhe Ministria e Arsimit është vënë në shënjestër edhe nga vetë aleatët e kryeministrit Edi Rama. Pas deputetes së LSI-së Monika Kryemadhi edhe PDIU ka shpërthyer me akuza për reformën e arsimit të lartë.

Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së, Mesila Doda u është përgjigjur pyetjeve të studentëve në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në lidhje me ndryshimet e shpeshta të sistemit arsimor nga ku ka deklaruar se e gjithë ajo çfarë ndodhi vitin e kaluar me maturantët është një çmenduri dhe se duhet të jesh i çmendur që të mbrosh reformën e arsimit të lartë.

“Çdo qeveri që vjen ndryshon rregullat e lojës. Ca fusin vetëm një libër në klasë të shtatë, ca fusin një në klasë të tetë, ca thonë maturë shtetërore, ca thonë konkurs, ca ndryshojnë në fund fare dhe studenti ndihet jo i humbur por ti nuk e di se me çfarë rregullash do shkosh pas 3 vitesh. Po a ka më skandal? Çfarë po i mësojmë ne të rinjve tanë? Po i mësojmë të kenë frikë, po i mësojmë që ka pasiguri jete, po i mësojmë që shteti është arbitrar. Të tria këto nuk janë mësime që ne mund t’iu japim të rinjve. Nëqoftëse nuk arrijmë të kuptojmë që qytetari është i pari, të rinjtë janë të parët e të parëve mbi të gjitha. Po i mësojmë keq, po i mësojmë që të bëjnë hile, po i mësojmë që mund të gjenden gjithmonë përballë pasigurive. Nuk e kuptoja dot vjet unë se si një student me 10.6 pikë, se nuk e dija si ishin këta koeficientet më shumë se dhjeta, nuk merrte degën që dëshironte. Por duhet të shkonte, se gabimisht në vit të parë kishte zgjedh një gjë, që ishte para 3 vitesh që nuk e kishin parashikuar këta pas 3 vitesh. A kuptoni çfarë po flasim edhe në fund fare më thoni dhe sukseset. Nuk e di çfarë suksesesh janë këto, se vetëm suksese nuk janë këto. Kjo është një çmenduri dhe duhet të jetë akoma më çmenduri që të gjesh kurajën dhe ta mbrosh këtë lloj gjëje.

Nuk ka asgjë që vlen më shumë se sa një mirëedukim dhe dhënia e sigurisë për të rinjtë. Ti je një familje e thjeshtë, ke sakrifikuar gjithë jetën. Gëzimin e vetëm ke pasur këta fëmijë që të kanë shkuar përpara dhe ti gjendesh përballë gjithë këtij lloj abuzivizmi dhe nuk hap gojën, por çfarë është kjo? A kanë ndonjë mundësi reale që të vazhdojnë të jetojnë këtu të rinjtë kur marrin zhgënjime pas zhgënjimesh. Dhe ky vend që të bëhet i madh siç e themi ne, duhet të bëhet njëherë i jetueshëm për ne që jemi këtu brenda dhe nuk i mbyllim dot sytë ne përpara kësaj.

Themi vetëm çështja çame dhe bashkimi për Kosovën, kur shikojmë që nuk po punojmë për qytetarët tanë. Prandaj kjo duhet të jetë kryefjalë e asaj pune që ne bëjmë përditë”, deklaroi Doda./BW

OPINIONE

INTERVISTA