“Pekini persekutim ndaj praktikave të besimeve fetare”

Dalin në pah detaje të reja në lidhje me persekutimin e Ujgurëve në Kinë në një raport të BBC-së.

Raporti tregon një dokument të dalë nga kampet internimit ku muslimanët etnikë Ujgurë mbahen nga Kina në rajonin perëndimor Xinjiang.

Dokumenti, që besohet të jetë publikuar nga i njëjti burim që ka zbuluar disa dokumente me natyrë të ngjashme në fund të vitit të kaluar, tregon detaje personale të më shumë se 3000 individëve të mbajtur në kampe.

Raporti thotë se dokumenti zbulon “detaje të ndërlikuara” dhe “aspektet më intime” të jetës së përditshme të Ujgurëve të ndaluar.

Dokumenti përfshin profilin e 311 individëve. Ai përmend prejardhjen e tyre, zakonet fetare dhe marrëdhëniet me qindra të afërm, fqinjë dhe miq.

“Aktgjykimet e shkruara në rubrikën përfundimtare vendosin nëse personat që janë në internim duhet të mbeten ose të lirohen, dhe nëse disa prej atyre që janë lëshuar më parë duhet të kthehen”, thuhet në raport.

Vitin e kaluar, Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigues me qendër në SHBA zbuloi disa dokumente kineze që “përfshinte një listë të klasifikuar udhëzimesh” të aprovuar nga zyrtarë të lartë kinezë për drejtimin e kampeve dhe “grumbullimi masiv i të dhënave dhe sistemi i analizës që përdor inteligjencën artificiale” për të ndihmuar në kapjen e banorëve të dyshuar në rajonin e largët perëndimor.

Dokumenti prej 137 faqesh i mundëson autoriteteve kineze të shohin se sa shpesh njerëzit luten, si vishen, me kë kontaktojnë dhe si sillen anëtarët e familjeve të tyre.

Zbulimet e reja kundërshtojnë pretendimet e bëra nga autoritetet kineze se kampet e internimit janë “thjesht kampe trajnimi ose shkolla”.

Kur u kontaktuan, zyrtarët kinezë mohuan të gjitha shkeljet duke thënë se vendi po “luftonte terrorizmin dhe ekstremizmin fetar”.

“Ky dokument i jashtëzakonshëm paraqet provat më të forta që kam parë deri më tani se Pekini persekuton në mënyrë aktive dhe ndëshkon praktikat normale të besimeve tradicionale fetare”, tha Adrian Zenz nga Fondacioni Memorial i Viktimave të Komunizmit me qendër në Washington.

“Kjo mundëson të shohim mendjet e atyre që marrin vendime”, tha Zenz në lidhje me dokumentin./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne