Pendarovski: Do të sjell vendim të ri për situatë të jashtëzakonshme për shkak të COVID-19

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, është shprehur se do të sjell vendim të ri për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme në gjithë vendin për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).

Presidenti i vendit paraprakisht shpalli gjendje të jashtëzakonshme 30-ditore më 18 mars, por siç u shpreh Pendarovski, Kushtetuta e vendit nuk parasheh mundësinë juridike të vazhdimit të gjendjes së jashtëzakonshme, kështu që do ta shpallë përsëri.

“Për këtë, në bazë të një propozimi të ri të arsyetuar nga Qeveria dhe në situatë kur Kuvendi nuk funksionon, unë sot do të sjell vendim të ri për përcaktimin e ekzistencës së një situate të jashtëzakonshme”, tha Pendarovski në konferencën për media pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Ai tha se shfuqizohet gjendja emergjente në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, ku siç u shpreh ai, vërehen zhvillime pozitive.

Mirëpo, Pendarovski paralajmëroi se shumë shpejtë mund të shpallet gjendje emergjente në Kumanovë, ku shënohet rritje e rasteve me COVID-19.

Pendarovski inkurajoi qeverinë që pas festës së Pashkëve Ortodokse, të definojë planin për kthimin gradual në normalitet të aktiviteti ekonomik.

“Është e qartë se jo vetëm ne, por e gjithë bota patjetër të mësojë të jetojë me virusin për një periudhë më të gjatë kohore, ndërsa në ndërkohë, patjetër të gjejmë modalitete që jeta me të gjitha kufizimet e nevojshme dhe masat preventive të vazhdojë të funksionojë”, u shpreh ai.

Ai tha se Kisha Ortodokse këtë vit do të duhet të respektojë rregullat që vlejnë për të gjithë, duke theksuar se ruajtja e shëndetit është prioritet më i lartë.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut tha se edhe muaji i Ramazanit për herë të parë do të fillojë në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme, duke shtuar se “vetëm bashkarisht dhe me respekt maksimal ndaj njëri-tjetrit, mund ta tejkalojmë këtë krizë”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne