Shqiperia

Pengesat për paktin e detit Tiranë-Athinë, media greke: Sërish frikë nga ndërhyrja turke

Në Athinë vëmendja kryesore është te konflikti me Turqinë për detin, por nuk lihet jashtë edhe cështja me Shqipërinë. Por cili do të jetë hapi i radhës i Greqisë pas deklaratës së kryeministrit për zgjerimin me 12 milje në Jon?

“Në plan të parë në hapat e ardhshëm të diplomacisë greke vjen rifillimi i bisedimeve me udhëheqjen politike shqiptare në mënyrë që të zgjidhet përfundimisht caktimi i kufijve. Ndalesa e parë në këtë drejtim pritet të jetë caktimi i datës së vizitës së Ministrit të Jashtëm grek në Tiranë për takime me udhëheqjen politike në Tiranë.

Nikos Dendias kohët e fundit ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar Edi Rama, me të cilin ai ra dakord për të rifilluar “bisedimet me shpejtësi, pas zgjerimit të ujërave territoriale greke në detin Jon, për të zgjidhur problemin e zonave detare me Shqipërinë. Një enigmë e pazgjidhshme duket se është koha dhe konteksti i fillimit të negociatave. Kjo pasi të dy vendet arritën një marrëveshje 11 vjet më parë, e cila në fund ra dhe gjërat u kthyen në pikën zero.

Në veçanti, në Prill 2009, kryeministri i atëhershëm, Costas Karamanlis dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Dora Bakoyannis, nënshkruan në Shqipëri marrëveshjen që përcakton EEZ dhe kufijtë detarë. Themeli i marrëveshjes ishte parimi i të ashtuquajturës “vija e mesme”. Gjykatat ndërkombëtare kanë pranuar që vija e mesme në parim është vija fillestare nga e cila duhet të fillojë çdo demarkacion” shkruan media greke.

Grekët i tremben rolit të Turqisë në bisedimet me Shqipërinë, teksa Ankaranë e fajësojnë për rrëzimin e marrëveshjes së 2009 mes Tiranës dhe Athinës. “Turqia në 2009 ndërhyri duke paralajmëruar Tiranën se Athina po i mashtronte, me qëllim që marrëveshja të anulohej. Ndërhyrjet turke në Shqipëri nuk janë të reja. Ata ekzistojnë dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë” vijon më tej analiza në medien greke.

“Për fat të keq, Shqipëria, megjithëse Greqia mbetet lokomotiva e ekonomisë së saj, ka zgjedhur të bëhet një shtet satelit i Turqisë. Turqia po përpiqet të ndërtojë një oborr rreth saj, një zonë ndikimi. Ajo është duke u përpjekur që fqinji verior (Shqipëria) të jetë krahu i djathtë i Ankarasë” mbyllet analiza./tpz

OPINIONE

INTERVISTA