Pentagoni po mendon të nisë sulme ajrore në Filipine kundër Daeshit

Departamenti amerikan i Mbrojtjes po mendon një strategji të re që do e autorizonte ushtrinë të zgjeronte programin e saj të sulmeve ajrore botërore në Filipine, sipas një raporti të ri.

Sulmet me drone do të jenë pjesë e një operacioni zyrtar kundër objektivave të Daeshit në vendin e Azisë Juglindore, njoftoi të hënën NBC News, duke cituar dy zyrtarë ushtarakë amerikanë.

Sipas burimeve të paidentifikuara, operacioni mund të emërohet që të martën, për ta ndihmuar atë që të marrë më shumë fonde.

Një përplasje e përgjakshme mes forcave qeveritare dhe militantëve ekstremistë që kanë premtuar besnikëri ndaj Daeshit, ka lënë të vrarë rreth 700 vetë në qytetin jugor të Maraëit në Filipine gjatë dy muajve të fundit.

Militantët, duke valëvitur flamurin e zi të Daesh, kanë zënë disa pjesë të qytetit që nga 23 maji, duke e nxitur Presidentin Rodrigo Duterte të deklarojë ligjin ushtarak në të gjithë rajonin jugor të Mindanaos.

Në qershor, një grup i vogël i forcave speciale amerikane u bashkua me betejën. Ushtria e Filipineve tha në një deklaratë atëherë se grupi, i quajtur Operacionet e Përbashkëta Speciale të Task Forcës Trident, do të ofronte vetëm asistencë teknike.


Nëse aprovohen, sulmet ajrore me dron do i fusin Filipinet në të njëjtin grup me Pakistanin, Jemenin, Somalinë, Afganistanin dhe Libinë, ku SHBA ka kryer mijëra sulme të tilla që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.

SHBA kishte vendosur rreth 1,200 forca speciale në Mindanao për rol këshillues në vitin 2002, përpara se ta mbyllte programin dhe të tërhiqte mbrapsht shumicën e tyre në vitin 2015.

Vitin e kaluar, Duterte i kërkoi Uashingtonit të tërhiqte trupat e mbetur në reagim ndaj qortimit të Presidentit të atëhershëm Barak Obama për luftën e Manilës kundër drogës, lidhur me shqetësimet e të drejtave të njeriut.

Lidhjet mes dy palëve filluan të ngroheshin nën pasardhësin e Obamës, Donald Trump, i cili e ka ftuar Duterten në Shtëpinë e Bardhë.

Tillerson takohet me Duterten

Lajmi i fushatës së mundshme ajrore përputhej me turneun e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Rex Tillerson, i cili përfshinte një ndalesë në Manila për të marrë pjesë në takimin e parë ministror të Asociacionit të Vendeve të Azisë Juglindore, ose ASEAN.

Diplomati më i lartë amerikan u takua me Duterten të hënën, ku presidenti i Filipineve bëri një kthesë nga qëndrimet e tij të mëparshme kundër Uashingtonit, dhe e quajti veten një “mik të përulur” të Shtëpisë së Bardhë me Trumpin.

Tillerson i siguroi Dutertes se vendi i tij do ta mbështeste atë në luftën kundër terrorizmit duke trajnuar trupat e Filipineve dhe duke u ofruar atyre “aftësi inteligjence”.

Sekretari amerikan i shtetit tha se nuk kishte “asnjë lidhje” ndërmjet ndihmimit të Manilës me luftën dhe “shqetësimeve të të drejtave të njeriut që kemi në lidhje me mënyrën se si ata i kryejnë aktivitetet e tyre kundër drogës”.

Tillerson u largua nga Filipinet më vonë gjatë ditës për të bërë një ndalesë pesë orëshe në Tajlandë të martën, ku ai pritej të diskutonte lidhjet e vështira pas një grushti ushtarak në vitin 2014. Udhëtimi shënon vizitën më të lartë të një zyrtari të SHBA-së që nga ajo kohë. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne