Për ata që presin t’i shpëtojë Amerika, pse ndërhyrjet e ambasadës po ndihmojnë në instalimin e regjimit autoritar të Ramës

FATOS LUBONJA

Para rreth dy javësh, Edi Rama lëshoi në Parlament një frazë që ngriti shumë thashetheme. Tha se Sali Berisha ishte i mërzitur, pasi kishte marrë një lajm të keq, të cilin la të kuptojë se e dinte, por nuk e thoshte dot. Të nesërmen thashethemet u përqendruan në pyetjen drejtuar Berishës nga Taulant Balla, nëse ish-Kryeministri mund ta kalonte dot oqeanin apo jo. Kështu u shpërhap thashethemi se Sali Berishës i ishte refuzuar viza amerikane, që politikisht u interpretua se amerikanët i kishin hequr vizë Sali Berishës. Ndërkaq, ish- Kryeministri e refuzoi që të kishte kërkuar të shkonte në SHBA.

Për të hedhur dritë mbi të vërtetën, “Balkanweb” iu drejtua Departamentit të Shtetit. Prej andej erdhi përgjigjja se duhet të shikonin në një link, ku gjendeshin emrat e njerëzve, të cilëve SHBA u kishte mohuar vizën për arsye korrupsioni. Kur u pa se aty nuk figuronte Sali Berisha, u tha se kishim të bënim me një nga manipulimet e shumta të Edi Ramës. Mirëpo, nuk vonoi dhe ambasada e SHBA-ve në Tiranë nxitoi të lëshonte një prononcim për “Panoramën” (ku gazetarët ose nuk kishin të drejtë pyetjeje, ose kishin frikë të bënin pyetje), në të cilën deklaroi se: “Ambasada e SHBA-ve vazhdon të ushtrojë autoritetin e vetë të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza…”, që “ambasada e SHBA-ve u ka mohuar vizat më shumë se 170 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve dhe familjarëve të tyre” sepse “i merr shumë seriozisht pretendimet për korrupsion dhe do të vazhdojë të shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve publikë me kontroll shtesë”.

Duhet të jesh shumë naiv për të mos dyshuar se kjo deklaratë ishte një pohim indirekt, se në frazën e thënë nga Rama kishte diçka të vërtetë dhe, jo vetëm, por se ambasada po hiqte dorë nga diskrecioni për t’i dhënë një dorë Kryeministrit në luftën e tij politike.

Edhe në qoftë shumë largvajtës ky dyshim për t’u marrë në analizë, gjykoj se kjo deklaratë, gjithsesi, nuk duhet të kalonte pa u komentuar, pasi ngrinte shumë pikëpyetje serioze mbi rolin e ambasadës amerikane në Shqipëri.

Pikëpyetja e parë është se me çfarë tagri e merr këtë “autoritet të gjerë” ambasada, që i dhënka të drejtë vetes të luajë këtë rol paraprokurori në Shqipëri? Mesa di unë, këtë “autoritet të gjerë” nuk ia jep ligji shqiptar, aq më pak ai amerikan. Këtu bëhet fjalë për një lloj autoriteti historiko-moralo-gjeopolitik – nëse mund t’i vëmë disa mbiemra – që meriton të debatohet për sa i përket origjinës së tij, por që gjithsesi është një autoritet nga ata që fitohen nëpërmjet respektit; d.m.th. që të bën “të jesh” autoritet (to be authority), siç do të thoshte psiko-sociologu dhe humanisti i njohur amerikan, Eric From, dhe jo “të kesh “autoritet (To have authority) sepse je më i fortë, sepse ke më shumë fuqi, sepse mund të japësh e të heqësh viza etj.. E pra, ky veprim i ambasadës është nga ata që nuk të bën të fitosh respekt, përkundrazi, ta humbasësh respektin, pasi shkel disa parime të shtetit të së drejtës, për të cila-tët SHBA merren vazhdimisht si shembull pozitiv. Sepse pyetja e parë që i lind çdokujt, i cili mendon me kokën e tij dhe jo me kokën e profetëve të rremë, që shpërhapin në opinion idenë se do të na shpëtojë Amerika nga kriminelët, është se cili qenka ky organizëm që paska ngritur ambasada që provuaka se “x” person ka bërë korrupsion, prandaj nuk e meriton vizën, kurse “y” person jo? Kam dëgjuar shumë shqiptarë të ankohen për arbitraritetin, me të cilin Konsullata vendos se cilit ia jep vizën e cilit jo – shoqëruar me ankesën se, të paktën duhet të përcaktojnë disa kritere që njerëzit të mos harxhojnë më kot kohën e tyre, si dhe shumën e majme prej rreth 200 dollarësh sa herë aplikojnë. Por që Konsullata punuaka për të ndërtuar lista të kandidatëve për burg në Shqipëri, të cilëve u mohon vizën, kjo e tejkalon imagjinatën sepse është kundër dy parimeve bazë të së drejtës: ai i prezumimit të pafajësisë derisa të dënon një gjykatë dhe ai i barazisë përpara ligjit. Pas deklaratës së ambasadës po qarkullojnë lloj-lloj emrash të njerëzve të prezumuar, të fajshëm nga ambasada amerikane për korrupsion nisur nga përfolja e tyre, ku secili fut armiqtë e vetë. Por bashkë me këtë listë qarkullon edhe një listë tjetër emrash, po aq të përfolur, që lëvizin lirisht në SHBA, madje disa prej tyre ishin në SHBA ditët që doli deklarata e ambasadës. Për të mos folur për faktin se kemi Kryeministrin, dora vetë, që ka shkelur ligjin amerikan me ato 80,000 dollarët e famshëm që ka paguar për të bërë një foto me Obamën dhe ambasada nuk ka pipëtirë.

Atëherë, si ta shpjegojmë këtë qëndrim të ambasadës në shkelje të prezumimit të pafajësisë dhe të barazisë përpara ligjit (pavarësisht se cilët janë personat në atë listë, që edhe mund ta meritojnë hetimin në Shqipëri)? Gjykoj se kemi të bëjmë me një abuzim me “autoritetin e gjerë” që u kanë dhënë shqiptarët SHBA-ve, nëpërmjet asaj shpresës se do të na shpëtojë Amerika, nëpërmjet atij servilizmit tradicional ndaj vëllait të madh (dikur sovjetik, pastaj kinez) kombinuar me bizantinizmin e politikanëve shqiptarë që, duke mos qenë të aftë të fitojnë legjitimitet brenda vendit, kërkojnë ta fitojnë këtë duke u shërbyer interesave amerikane. (Meqë ra fjala, po kujtoj se pikërisht këtë “autoritet” kërkoi të shfrytëzojë edhe ish-ambasadori Arvizu kur deshi të na sillte në Shqipëri armët kimike nga Siria).

Ky abuzim me autoritetin po shfaqet në formën e një angazhimi të tepruar të ambasadës në lojën e brendshme politike. Ç’është më e keqja, ai po i shtyn gjërat në një drejtim të gabuar sepse ndërhyrje si ato që përmenda, duke qenë kundër principeve bazë të shtetit të së drejtës, janë një shembull negativ që u jepet shqiptarëve nga një shtet demokratik. Në këtë radhë, sipas gjykimit tim, janë edhe ndërhyrjet e fundit ndaj protestave apo ndaj veprimit të opozitës për heqjen e mandateve. Edhe ato, dashje pa dashje, po ndihmojnë instalimin e një regjimi autoritar dhe arbitrar në Shqipëri. Pse mendoj kështu? Jo se nuk kam rezervat e mia për heqjen e mandateve apo edhe për përdorimin e dhunës nëpër protesta, por sepse në ndërhyrjet e ambasadës kundër dhunës apo kundër heqjes së mandateve, gjej disa mungesa që flasin shumë. Në to mungon kujtesa historike e këtyre 28 vjetëve, që ne shqiptarëve na tregon se aktori kryesor i së keqes në këtë vend kanë qenë gjithherë maxhorancat që kanë e trajtuar opozitën jo si kundërshtar politik, por si armik që duhet eliminuar, gjë që Edi Rama e ka shtrirë edhe kundrejt cilitdo institucioni apo individi, që kundërshton politikat e tij. (Së fundi e bëri edhe kundrejt “Zërit të Amerikës”). Bashkë me këtë mungesë kujtese, së cilës i duhet shtuar edhe mungesa e kujtesës se, në vite ambasada është gjetur shpesh duke mbështetur palën e gabuar dhe s’ka pranuar më pas asnjë përgjegjësi, në ndërhyrjet e fundit nuk gjen gjithashtu aspak vullnetin për të kuptuar se ky përshkallëzim i protestave dhe i dhunës buron nga frustrimi i popullsisë dhe opozitës nga efekti i një dhune shumë më të egër: dhuna strukturore në rritje, që shfaqet te vendimmarrjet gjithnjë e më arbitrare, të paligjshme dhe korruptive të qeverisë Rama. Në këto ndërhyrje nuk gjen asnjë fije ndjeshmërie për faktin se nuk ka më asnjë institucion shqiptar që t’i frenojë këto vendimmarrje nëpërmjet mekanizmave të check and balance, sepse janë të kapur nga qeveria. Në këto ndërhyrje nuk gjen aspak as dyshimin e vetëpërmbajtjen që duhet të ngjallin këto lloj vendimmarrjesh (boll të kujtoj skandalin e “Astirit”, që prek direkt edhe SHBA-në, si shtetin të cilit i janë falsifikuar dokumentet për të kryer një megakorrupsion), përkundrazi, ambasada shfaqet qartazi si një aleate e kësaj qeverie dhe jo si një arbitër midis palëve. Dhe këtu vlen të përmendet se palët nuk janë vetëm maxhoranca dhe opozita, por edhe një popull i tërë, të cilin gjatë qeverisjes së kësaj maxhorance e ka kapluar dëshpërimi, duke e çuar në 60 % shifrën e atyre që duan të braktisin vendin.

E pra, nëse këto ndërhyrje të ambasadës mund të shpjegohen me funksionet që kanë ambasadat kudo në botë: – kurimi pranë qeverive përkatëse i interesave amerikane, – atëherë punonjësit e saj duhet të kenë ndershmërinë e njohjes së këtij konflikti interesi, që duhet t’i bëjë të përmbahen në zellin e tyre për të qenë njëherësh edhe lojtarë së bashku me qeverinë në konfliktin politik shqiptar, edhe arbitër i këtij konflikti. Përndryshe, gjykoj se shqiptarët që ende ushqejnë shpresën e rreme se do t’i shpëtojnë të huajt, duhet t’i trajtojnë sa më shpejt edhe burokratët e SHBA-ve ashtu si euroburokratët e Brukselit, (për të cilët kam shkruar në shkrimin paraardhës), si pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes./ Panorama.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne