Për gjashtë muaj mbetën të vrarë me armë zjarri 12 persona në Kosovë

Pas të shtënave me armë zjarri, dy persona u vranë të enjten në Prishtinë dhe dy të tjerë u plagosën.

Në incidentin që u përdor edhe arma e tipit Kallashnikov, sipas Prokurorisë, dyshohet se ishin përfshirë dy familje.

Përveç vrasjes së dy personave dhe plagosjes së një tjetrit nga këto dy familje, në të njëjtin rast, plagë si pasojë e të shtënave, sipas Prokurorisë, ka marrë edhe një kalimtar rasti.

Banorët në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, ku ndodhi kjo ngjarje, janë të shqetësuar me rritjen e numrit të vrasjeve.

Uran Haxha banon dhe punon afër rrugës ku ndodhi rasti të enjten. Ai tha për Radion Evropa e Lirë se është shumë shqetësuese, zgjidhja e problemeve në rrugë nga persona të ndryshëm, pasi që mund ta pësojnë edhe kalimtarët e rastit.

“Si banor i ‘Lagjes Spitalit’ te Mati 1, pranë rrugës ‘Muharrem Fejza’, ku shumë prej neve jo vetëm banojmë, por edhe punojmë, e kemi parë me shumë shqetësim, duke e ditur se shumë prej fqinjëve dhe familjarëve kanë kaluar atë ditë (kanë qenë të pranishëm) pikërisht në vendin ku ka ndodhur rasti i djeshëm”, tha Haxha.

Të shqetësuar me rastet e shpeshta të incidenteve të armatosura dhe vrasjeve janë edhe mjekët kujdestarë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Avdush Bajgora, shef ndërrimit në Qendrën Emergjente, i cili është mjek që 31 vjet, ka bërë thirrje tek institucionet e sigurisë, që të marrin masa dhe të ndalohen vrasjet.

“Kohët e fundit gjendja është bërë shumë alarmante, kemi shumë raste të tilla dhe mund t’i krahasoj lirisht me rastet që kanë ndodhur para periudhës së luftës së fundit në Kosovë. Ky është një tmerr. Shteti duhet të ndërmarrë masa ndaj të gjithë atyre që mbajnë armë pa leje”, tha Bajgora.

Njohësi i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Nuredin Ibishi, tha për Radion Evropa e Lirë se armët pa leje në duart e qytetarëve, vazhdojnë të përbëjnë shqetësim serioz për sigurinë në Kosovë.

Ai kërkon nga Policia e Kosovës që të ndërmarrë masa konkrete për këtë çështje.

“Në këtë përdorim të armëve, përveç viktimave apo edhe dorasve që qërojnë hesapet mes vete, bien ndesh edhe qytetarët që janë të pranishëm në atë mes. Shqetësimi është se në këto raste përdoren edhe armë automatike”, tha Ibishi.

Raste të ngjashme ku janë përdorur armët, janë shpeshtuar muajt e fundit. Të shtëna me kallashnikov e pistoleta kanë ndodhur edhe në qytetin e Shtimes, gjatë grabitjes së një banke në fillim të muajit.

Në muajin gusht një 61-vjeçar e vrau bashkëshorten e tij në Prizren, derisa në Fushë Kosovë u vra një 11-vjeçar i komunitetit rom./KP

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne