Për kë duhet të votojnë muslimanët e Shqipërisë?

Nga Olsi Jazexhi

Këto ditët e fundit shoh kudo nëpër ambjentet muslimane sesi hoxhallarë dhe besimtarë janë bërë militantë të partive të ndryshme. PD, LSI, PS gjithësecila nga këto parti kanë rekrutuar besimtarë dhe hoxhallarë të cilët i joshin me premtime dhe mashtrime që të mbështesin dhe votojnë partitë e tyre. Joshja e muslimanëve nga politika, në këto zgjedhje është jashtëzakonisht e madhe. Shoh kudo e ngado besimtarë me shami dhe me mjekra, njerëz që pak vite më parë ishin idealistë dhe thonin që “politika është harram” që tani janë vërsulur partive me shpresë se nëse partia e tyre fiton, këta do të arrijnë të kapin ndonjë vend pune apo sigurojnë favore nga partia me pushtet.

Ndërsa shumë besimtarë që mbështesin parti të caktuara e bëjnë këtë gjë për arsye përfitimesh ordinere, ka hoxhallarë që edhe gënjejnë dhe ndërsa shesin vota, u thonë besimtarëve që Edi Rama apo Lulzim Basha janë më të mirët për muslimanët. Por si qëndron e vërteta? A janë Edi Rama dhe Lulzim Basha, apo edhe partia e Ilir Metës të mirë për muslimanët dhe qytetarët e Shqipërisë? Përgjigja është jo. Që të treja partitë kryesore që kërkojnë pushtetin sot në Shqipëri janë parti të korruptuara. Banda hajdutërish ordinerë, që mbështesin axhendat anti-muslimane të Perëndimit. Si PD, si PS, si LSI janë parti që e kanë anëtarësuar Shqipërinë në aleanca të dhunshme ushtarake që sot vrasin dhe djegin botën e Islamit. Këto parti janë thellësisht kapitaliste që përditë e më shumë po rrënojnë pasuritë publike të shqiptarëve, po e zhysin vendin në borxhe, po i bëjnë shqiptarët të arratisen në masë nga vendi. Në Shqipëri nuk ka parti idealiste dhe islamiste që do të meritonin votën e muslimanëve. Profeti Muhamed në një hadith u thotë besimtarëve që: Kur e shikoni një gjë të keqe ndryshojeni me dorë. Po nuk mundët, me gojë. Po nuk mundët, me zemër, por ky është imani më i ulët.

Për fat të keq sot muslimanët shqiptarë jo që nuk e kundërshtojnë të keqen e sistemit ku ne jetojmë me dorë, gojë dhe me zemër, por për fat të keq janë bërë me dorë, me gojë dhe me zemër pjesëmarrës në pushtetin kriminal dhe anti-musliman që Shqipëria gëzon. Muslimanët janë zhveshur nga moralet e Islamit dhe nuk e kanë më Islamin ideal, por ideal kanë përfitimet vetjake. Motoja e tyre është “të kapim ndonjë punë me Lulin, Edi apo Ilirin”. Kjo moto është jo-islamike dhe imorale.

Një kryetar partie më tha disa ditë më parë që PS, PD dhe LSI tani po blejnë vota me hoxhallarët. U shkojnë atyre dhe u thonë nëse me jepni kaq vota, ne u japim kaq para apo kaq favore. Lajmi që më tha kryetari i Partisë në fjalë më dëshpëroi shumë. U dëshpërova edhe më shumë para 2 netësh, kur ndërsa një grup besimtarësh po organizonin një takim për Palestinën në Tiranë, pamë që në një sallë përkarshi nesh, shumë hoxhallarë dhe krerë të Komunitetit Musliman po merrnin pjesë në një iftar elektoral të Lulzim Bashës dhe PD-së. Krerët e muslimanëve shqiptarë i janë nënshtruar politikës së korruptuar dhe askush prej tyre nuk shpalos më idealet që Islami na mëson.

Sikur ndonjë hoxhë ta donte me të vërtetë Islamin në Shqipëri dhe të donte të shkëmbente vota për favore për muslimanët ai do të duhej ti thoshte partive hajdute në vend, që unë me besimtarët e mi ti jap votat nëse Partia X publikisht zotohet që pasi të vijë në pushtet:

1. Do ti japi fund diskriminimit të muslimanëve në vend.

2. Shpalli amnisti për besimtarët e arrestuar dhe dënuar.

3.Japi fund proçesit të survejimit dhe spiunimit të xhamive dhe besimtarëve.

4. Japi fund “cirkut” amerikan të “de-radikalizimit”.

5.Tërheqë Shqipërinë nga aleancat e dhunshme dhe anti-muslimane ku Shqipëria bën pjesë.

6. Ruaj shekullarizmin e vendit dhe japi fund proçesit katolicizues nëpër shkolla dhe institucione publike.

Por, duke ditur nivelin e ulët intelektual dhe idealist të hoxhallarëve në Shqipëri unë e di që një gjë e këtillë nuk mund të arrihet dot. Megjithatë, në zgjedhjet që po vijnë, muslimanët shqiptarë do bënin mirë që të mos votonin në mënyrë totale. Të shijojnë Bajramin të cilin ua ka përdhunuar Lulzim Basha dhe Edi Rama që lanë zgjedhjet në këtë ditë, dhe ta injorojnë në mënyrë totale politikën. Duke mos votuar, besimtarët muslimanë do të përmbushin hadithin e profetit i cili thotë që kur e sheh një të keqe ndryshoje. Duke mos votuar, muslimanët do të plotësonin pjesën e fundit të hadithit e cila thotë: që kur nuk mundesh, të paktën të keqen kundërshtoje me zemër.

Mos votoni në ditën e shenjtë të Bajramit, miq të mij. Bëni kaq pak për fenë tuaj, nëse me të vërtetë e kuptoni.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne