Për të kuptuar pak më mirë kulisat e lojës me kryeprokurorin

Beteja tejet teknike pozitë – opozitë për mënyrën e zëvendësimit të Adriatik Llallës e ka futur publikun e gjerë në një kaos total. Debati nëse prevalon ligji i prokurorisë apo kushtetuta, nëse duhet zbatuar fryma e nenit 148 a të saj, apo duhet marrë për bazë pika 2/109 e ligjit për prokurorinë, nëse duhet të vendosë kuvendi, apo ai nuk ka tagër pas miratimit të reformës në drejtësi, nëse kryeprokurori i duhet lënë sërish politikës, apo duhet hequr nga duart e saj, ka prodhuar një kakofoni që  e kuptojnë vetëm pak politikanë të komisionit të ligjeve dhe ekspertët e fushës.

Për të bërë më të qarta qëndrimet e palëve dhe për të kuptuar më drejtë barrikadimet e tyre pas kleçkave juridike do të shërbente shumë të kuptohej sfondi politik ku po zhvillohet kjo betejë gjoja ligjore. Vetëm dekriptimi i këtij sfondi do të na qartësonte se përse socialistët po zvarrisen nëpër labirinthe juridike për të arritur aty ku duan.

Le të kujtojmë fillimisht se si nisi kjo histori.

Debati për zëvendësimin e kryeprokurorit startoi në ditët e para të nëntorit, kur shumica qeverisëse u gjend e gozhduar në aferën e arrestimit ose jo të Saimir Tahirit, dhe deklaratëve të opozitës se edhe dy kryebashkiakë të rëndësishëm të vendit, njerëz të ngushtë të Edi Ramës, ishin përgjuar në raportet e tyre me eksponentë të krimit.

Pikërisht në këtë kohë, kreu socialist i komisionit të ligjeve i dërgon një kërkesë të fshehtë në emër të komisionit (pra pa djeninë e anëtarëve të opozitës) Euralius dhe OPDAT-it, ku lyp një interpretim se si duhej vepruar me çështjen e kryeprokurorit.

Dhe vetëm pasi merr (në kushte tejet okulte) një konfirmim se LLalla duhej të ikte dhe pasardhësi i tij i përkohëshëm duhej caktuar vetëm me votat e socialistëve, ky dokument hidhet në tregun mediatik.

Natyrisht zhurma që bëhet është e madhe. Veshët e shqiptarëve dëgjojnë prej tre vjetësh, politikanë vendas dhe ndërkombëtarë, që sillen si vasalë të tyre, t’u shpjegojnë se reforma në drejtësi po bëhet për t’a shkëputur atë nga kthetrat e PS dhe PD, se këta të fundit nuk do të kenë më asnjë “privilegj” për të zgjedhur prokurorët dhe gjyqtarët, se e gjithë kjo ngrehinë butaforike po lartësohet vetëm e vetëm për të marrë jetë  një kundërpushtet i besueshëm dhe serioz.

Prandaj, kur publiku gjendet përballë faktit se akti i parë i madh i gjithë këtij kalvari të gjatë është zgjedhja e një kreu të institucionit të akuzës vetëm me votat e Edi Ramës edhe propaganda neutralizuese kërkohet të jetë në përmasat e zhgënjimit.

Dhe makineria e dizinformimit rilindas vihet në punë.

Për të qetësuar sa mundet publikun prodhohen mashtrime njëri pas tjetrit.

Fillimisht thuhet se është jashtë çdo imagjinate që një kryeprokuror, qoftë edhe i përkohshëm, të zgjidhet pa kaluar më parë nga filtrat e vettingut. Por, pastaj shpejtësia për të vepruar sa më parë (emrat duhet të dorëzohen deri më 12 dhjetor) e nxjerr të gënjeshtërt premtimin fillestar.

Më pas thuhet se nuk ka asgjë alarmante, pasi ky kryeprokuror tranzitor do të qëndrojë në detyrë vetëm një muaj. Por, kur bëhen llogaritë, (koha që duhet për të ngritur Këshillin e Lartë të Prokurorisë plus kohën që i duhet kuvendit për të votuar propozimet e këtij këshilli), rezulton se ai mund të qëndrojë në detyrë edhe dy vite të tëra.

Bie pra dhe kjo alibi qetësuese. Por, paralel me të ngrihet një tjetër: “Kot bëhet gjithë kjo zhurmë, ky kryeprokuror nuk do të ketë asnjë kompetencë”. Në fakt edhe këtu, përsëri një gënjeshtër e madhe. Ai ka në dorë, as më pak as më shumë sesa pezullimi nga puna i varësve të tij që kanë mbi tryezë çështjet e nxehta të pushtetarëve.

Dhe si për t’i vënë kapakun të gjithë kësaj propagande ç’dramatizuese del edhe Edi Rama dhe fton Lulzim Bashën, që ta zgjedhin bashkë me marrëveshje pasardhësin e Llallës. Por kujdes, edhe këtu fshihet një kurth. Po të lexohet me vëmendje letra ftesë e kryeministrit, aty vërehet qëllimi i vërtetë i tij: “Eja t’a zgjedhim të dy se unë i kam votat për të mbaruar punë edhe vetëm” shkruan Rama. Pra hajde bëju fasadë, sepse në fund do të vendos vetë.

Natyrisht pasi ke bërë renditjen e ngjarjeve dhe fakteve në këtë mënyrë është e kotë të ngresh pyetjet: Po pse u duhet socialistëve një kryeprokuror vetëm me votat e veta? Po pse u nevojitet një i zgjedhur pa kaluar vettingun? Pse po këmbënguin me kaq insistim që të caktojnë një njeri të tyre, që mund të qëndrojë në detyrë për një kohë të gjatë dhe të ketë në dorë të penalizojë vartësit e tij që mund t’i hapin problem qeverisë?

Përgjigjja kuptohet nga të gjithë: Edi Ramës I duhet një kryeprokuror që t’a shqetësojë edhe më pak se Adriatik Llalla. Një pasardhës që t’i bëjë fresk dhe që ashtu sikurse prflitet mund të jetë njeriu direkt i të akuzuarve se janë përgjuar në pakte me kriminelët.

Vetëm pasi ke ndërtuar këtë sfond të ngjarjeve dhe fakteve, vetëm pasi ke evokuar luftën politike që i hapi kjo shumicë prokurorisë (njërëz të Berishës, spiunë të tij, tropojanë që duan të rrëzojnë qeverinë) e kupton se debati për kleçkat ligjore, i ngjan atij për seksin e ëngjëjve. Ai është thjeshtë një kurth I pakuptueshëm që kërkon të përligjë një akt të shëmtuar politik: rikthimin në kohën e kryeprokurorëve militantë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne