Përballë kërcënimeve të Uashingtonit, Koreja e Veriut përgatit një tjetër test bërthamor

Pavarësisht thirrjeve botërore për denuklearizim, Koreja e Veriut ka thënë se do të vazhdojë testimin e armëve bërthamore përballë asaj që e sheh si provokim nga SHBA-ja.

Të hënën, Pheniani deklaroi se ishte gati të zhvillonte testin e tij të gjashtë bërthamor sapo lidershipi ta shihte të përshtatshëm, ndërsa kryeqyteti i Koresë së Veriut vazhdon të shesë shfaqje të forcës me Uashingtonin.

Veriu është “plotësisht i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo zgjedhjeje të ndërmarrë nga SHBA-ja”, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Koresë së Veriut sipas një deklarate të publikuar nga Agjensia Qendrore Koreane e Lajmeve, i cili shtoi se “masat për forcimin maksimal të forcës bërthamore do të merren në mënyrë të njëpasnjëshme dhe të suksesshme në çdo moment dhe në çdo vend të vendosur nga lidershipi suprem”.

Megjithëse tensionet mes Uashingtonit dhe Phenianit dukeshin sikur mund të lehtësoheshin disi në javët e fundit pasi SHBA-ja konsideroi të hynte në bisedime me Veriun, refuzimi i SHBA-së për të përjashtuar veprimin ushtarak, kombinuar me shpalljet e fundit të Phenianit, kanë vështirësuar përsëri mundësinë e një rezolute diplomatike.

Presidenti Donald Tramp tha të hënën për Washington Examiner se “Koreja e Veriut më shqetëson, por ne duhet të jemi të përgatitur për më të keqen … Ne duhet të jemi të përgatitur për të bërë atë që duhet të bëjmë.”

Ai shtoi se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka qenë “shumë kërcënues” dhe “ka thënë gjëra të tmerrshme”.

Megjithatë, në një intervistë të veçantë me Bloomberg të hënën, Trampi tha se ishte i gatshëm të takohej me Kim-in nën rrethana të caktuara, ndonëse ai ishte i paqartë rreth asaj çfarë mund të ishin ato rrethana.

“Nëse do të ishte e përshtatshme për mua të takohesha me të, do të isha absolutisht i nderuar ta bëja atë”, tha ai. “Gjithmonë nëse është në rrethanat e duhura. Por unë do ta bëja këtë.”

Trampi i ka bërë presion Kinës që të jetë më agresive në qasjen e saj ndaj çështjes së Koresë së Veriut, megjithëse ai e përshkroi Presidentin kinez Xi Jinping si “një person fantastik”.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi iu përgjigj hapur kësaj në një takim të fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke thënë se “Çelësi për zgjidhjen e çështjes bërthamore në gadishull nuk qëndron në duart e palës kineze … Është e nevojshme të mënjanohet debati mbi atë se kush duhet të ndërmarrë hapin e parë, dhe të mos argumentojmë se kush ka të drejtë dhe kush gabim”. Wang shtoi se “tani është koha të shqyrtojmë seriozisht rifillimin e bisedimeve”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i cili kryesoi takimin, i kundërshtoi në mënyrë të përsëritur këto vërejtje, duke thënë se “ne nuk do të negociojmë rrugën tonë në tryezën e negociatave me Korenë e Veriut, nuk do t’i shpërblejmë shkeljet e tyre të rezolutave të kaluara, nuk do t’i shpërblejmë sjelljet e këqija me bisedime.” / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne