Përballimi i Koronavirusit, Shqipëria me numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon

Mjekët shqiptarë janë vënë këto ditë në një presion të shumëfishtë prej përhapjes së koronavirusit dhe barrës së lartë të sëmundjeve rutinë të cilat Shqipëria i ka në nivele të lartë rajonale edhe ne situata normale.

Sipas të dhënave nga shtetet ku është përhapur më shumë koronavirusi, stafet mjekësore janë ndër të infektuarit e parë.

Por për Shqipërinë infektimi i mjekëve do ta bënte të vështirë menaxhimin e situatës për shkak se, edhe në situatë normale mjekët tanë përballojnë volume të larta punë në raport me koleget në rajon kundrejt pagave më të ulëta.

Sistemi shëndetësor publik vuan nga numri i pamjaftueshëm i profesionistëve. Krahas mungesës së financimeve, mësohet se shkak për këto zhvillime është bërë edhe emigracioni i lartë i trupës shëndetësore jashtë vendit sipas një analize të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon. Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8 mjekë për 1000 banorë.

Aktualisht janë 1.2 mjekë për 1000 banorë dhe raporti mami/infermierë është 3.6 për 1000 banorë, teksa edhe këto burime të pakta njerëzore në shëndetësi janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë.

Rrjeti i kujdesit shëndetësor parësor konsiston në 413 qendra shëndetësore. Në Shqipëri funksionojnë 42 spitale publike. Megjithatë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, spitalet bashkiake ofrojnë me vështirësi shërbimet, kryesisht për arsye të mungesës së numrit të mjaftueshëm të mjekëve specialistë.

Spitalet universitare, të përqendruara në Tiranë, tërheqin një fluks pacientësh në rritje, për shkak të mungesës së shërbimeve në spitalet bashkiake e rajonale dhe anashkalimit ose mospërdorimit të sistemit të referimit.

Sipas një raporti të qeverisë shqiptare në lidhje me emigracionin, emigrimi i specialistëve të shëndetësisë ka pakësuar burimet njerëzore për sistemin shëndetësor:

Pas viteve 1990, forcat e punës të sektorit të shëndetësisë humbën një numër të konsiderueshëm të burimeve njerëzore, të cilët migruan jashtë vendit. Edhe brenda vendit kanë ndodhur dhe po ndodhin lëvizje nga zonat rurale për ato urbane, duke krijuar një qasje gjithnjë të pabarabartë ndaj kujdesit shëndetësor për popullatën.

Për pasojë, numri i mjekëve për banorë është në nivelet më të ulëta në Europë.

Indeksi i Europian Shëndetit (EHCI) për vitin 2018 vuri në dukje se Shqipëria ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor.

Indeksi referon se, Shqipëria, Rumania dhe Bullgaria po vuajnë nga një strukturë shëndetësore e vjetruar, me një raport të lartë dhe të kushtueshëm të kujdesit në pacient për kujdesin jashtë-pacientit, thuhen në vlerësim.

/Monitor

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne