Përballje me ksenofobinë

Personifikimi i komuniteteve të caktuara me terrorin është sa i padrejtë, po aq manipulues. A priori, pjesëtarët e një bashkësie etnike a fetare përqasen me të keqen. Me arsyetimin e nevojës për siguri, lehtësisht kamuflohet urrejtja ndaj tjetrit dhe përligjen masat represive, që më tepër zhvillohen si një gjueti shtrigash sesa si veprime të duhura për garantimin e rendit kushtetues në një shtet. Këto praktika e asfiksojnë demokracinë dhe stabilitetin

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

 Shprehjet krijohen për të shpjeguar diçka që gjendet në mjedisin që na rrethon, qoftë të jetë objekt, subjekt ose dukuri. Pa mëdyshje, kështu ka ngjarë edhe me ksenofobinë. Me trajektoren e globalizimit ka zënë fill të përmendet jo rrallëherë dhe, dita-ditës, kjo fjalë fort pak e njohur po e pushton diskursin publik.

 Kuptimi i nocionit

Në zbërthimin etimologjik termi ksenofobi rrjedh nga greqishtja “xenos”, që e ka kuptimin “i huaj” ose “mysafir” dhe “phobia”, që domethënë “frikë”. Në këtë kontekst, ksenofobia paraqet gjendjen e frikës ndaj të huajit. Në gjuhën shqipe, sipas FGJSSH-së (Rilindja, 1981), të qenët ksenofob përkufizohet si veti a shprehje e një njeriu që urren çdo gjë të huaj, që nuk pranon asgjë të huaj dhe e hedh poshtë a e mohon atë fare. Në përdorimin e shpeshtë të kësaj fjale në botë, qoftë në zhargonin medial ose në literaturën përkatëse, aludohet në urrejtjen ndaj të huajve. Madje, sipas disa studimeve, kjo përbën edhe një çrregullim psikologjik.

Ksenofobia, në një kuptim më të gjerë, është tërësi e qëndrimeve, paragjykimeve, refuzimeve dhe sjelljeve kundrejt atyre që kanë identitet të ndryshëm (etnik, kulturor, fetar) nga shoqëria e caktuar. Duke qenë një non sens më vete, ksenofobia i nënçmon të gjitha traditat, zakonet e shprehitë, me një fjalë vlerat e të huajve.

 Manifestimi i ksenofobisë

Ksenofobia lind brenda një komuniteti, i cili nuk e sheh si pjesë të veten një grup të caktuar (pakicat, emigrantët, refugjatët), përfshirë këtu edhe dallimin në bazë kulturore (p.sh. gjuha ndryshe). Për ksenofobin, të huajt janë gjithmonë të dyshimtë, andaj duken sinonim i negatives. Mënyrat e shfaqjes së saj mund të jenë të ndryshme: provokimet dhe përçmimet verbale, dhënia e një mesazhi përmes një gjesti, si, fjala bie thyerja e rrugës, kur i zë syri një të huaj ose ndërrimi i vendbanimit nëse në afërsi është shpërngulur dikush i huaj, e deri te aktet më të rënda, si atakimet e dhunshme, vrasjet, dëbimet, aparteidi, gjenocidi etj.

Urrejtja ose sjellja negative ndaj tyre mund të prezantohet nga forcat zyrtare ose jozyrtare të një vendi. Ajo, rëndom, shpërfaqet nëpërmjet fuqisë dhe pothuaj përherë shoqërohet me arrogancë. Dikush, që është pjesë e shumicës, që disponon me kapacitetet e dhunës dhe që motivohet nga ndjenja e tillë, mund ta përdor atë pa u hamendësuar.

Rritja enorme e migrimeve, si rezultat i luftërave, mungesës së sigurisë, refugjatëve, azilkërkuesve, ndryshimeve klimatike, jostabilitetit ekonomik, nevojës për një mirëqenie më të mirë sociale, arsimore etj., e ka ngritur proporcionalisht edhe ksenofobinë. Ballafaqimi i kulturave katërçipërisht të ndryshme në botëkuptimin jetësor ka bërë që të lindin edhe përplasje të karakterit social.

Ndonëse këtu luan rol edhe racizmi, i cili tëhuajëson në bazë të ngjyrës së lëkurës dhe vetive të tjera trupore, ksenofobia e tejkalon edhe këtë segment – çdo gjë e huaj, që nuk i përket një komuniteti, anatemohet dhe shndërrohet në cak sulmi, qoftë verbal ose fizik. Megjithatë, nuk është e shkëputur plotësisht nga bindje të ngjashme, sepse, njëkohësisht, mëkohet nga pretendimi për mbizotërim të etnisë, racës, kulturës, fesë ose rajonit ndaj të tjerëve. Domethënë, shtrat për ksenofobi ofron edhe shovinizmi.

Në aspektin social, shëmbëllimi i saj është i frikshëm dhe me pasoja. Ajo nis të përhapet kudo: nga rrugët e qyteteve, e deri në ambientet e shkollave. Potencialisht kjo prodhon veprimet e shtrëngimit dhe cenon liritë e të drejtat e njeriut dhe rendin publik. Në këtë pikë del në pah edhe roli i shtetit si autoritet që i përcakton rregullat për jetën publike, përfshirë integrimin e komuniteteve minoritare. Përmes vijës zyrtare kundrohet orientimi, krijimi i një shoqërie pluraliste ose asaj homogjene, me tendencë asimilimi të të tjerëve. Politikat diskriminuese të organeve të shtetit mbi baza etnike, racore a fetare çojnë në margjinalizimin dhe stigmatizimin e pakicave dhe, në këtë formë, krijohen getot, të cilat jo vetëm që i ndajnë shoqëritë për nga mënyra e jetesës, por edhe shërbejnë si vatra problemesh.

Viteve të fundit, aq sa shtjellohen nocione si integrimi, harmonizimi, pakti shoqëror; po aq kanë filluar të përmenden edhe përplasjet e civilizimeve e mosdurimi i të huajve. Ardhja e tyre në një vend të ri e ngre lart konkurrencën në plot sfera të jetës dhe kjo mund t’i shtyjë vendasit të kenë qëndrime jomiqësore ndaj të ardhurve. frika ndaj atyre që vihen në shënjestër, kryesisht, është joreale dhe e nxitur nga injoranca ose fanatizmi. Madje, e mbështetur vetëm në hipoteza.

Shpeshherë ngjan që të huajt të jenë në objektivin e retorikës së politikanëve. Sidomos kur shtetet ballafaqohen me paqëndrueshmëri politike e ekonomike, një diskurs i ndërtuar mbi “rrezikun nga tjetri”, “tjetrin, si burim i krizave”, “planet djallëzore të tjetrit” e pretekste të ngjashme, kjo e rrit populizmin e partive të caktuara, posaçërisht atyre me orientim programor të ekstremit të djathtë.

Si fenomen, ksenofobia haset prej kohësh edhe në kontinentin e vjetër dhe kjo ka ndikuar që, viteve të fundit, në disa shtete evropiane, partitë djathtiste të dalin triumfuese në zgjedhje. Për rrjedhojë, vihet re njëlloj etnocentrizmipatologjik. Në media kanë qarkulluar analiza, sipas të cilave bile edhe procesi i shkëputjes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian (Brexit) ka qenë i prirë pikërisht nga orvatja për ta kufizuar migrimin e lartë në vend.

Krahas aktorëve politikë, rol të pamohueshëm në përhapjen ose luftimin e dukurive, si ksenofobia, luajnë mediat dhe rrjetet sociale. Tashmë bota ka marrë një trajtë ndërvarësie ndaj tyre dhe shumë çështje ofrohen shpesh edhe pa ndonjë kriter profesionalizmi dhe vërtetësie. Megjithëkëtë, influenca e mjeteve pamore dhe të shkruara e determinon një pjesë të rëndësishme të jetës publike.

Një shtresë që mund të faktorizohet në këtë aspekt janë intelektualët dhe personat me ndikim në shoqëri siç janë artistët, sportistët etj. Duke qenë se këta njihen si shembuj të arritjes, qasja e tyre ndaj ksenofobisë është tejet me peshë. Propagandimi pro ose kundër saj, do t’u jepte kahe zhvillimeve shoqërore.

E kaluara dëshmon se Evropa, por jo vetëm ajo, ka qenë djep i ksenofobisë në shumë raste. Qëndrimet urryese ndaj romëve (romafobia), ndaj racës zezake (negrofobia), ndaj hebrenjve (antisemitizmi), ndaj myslimanëve (islamofobia) etj., janë dukuri të pamohueshme, që dëshmojnë për nuancat e koloritit ksenofob, veçse duke u zëvendësuar pak a shumë me njëra-tjetrën në periudha dhe vende të ndryshme.

Personifikimi i komuniteteve të caktuara me terrorin është sa i padrejtë, po aq manipulues. A priori, pjesëtarët e një bashkësie etnike a fetare përqasen me të keqen. Me arsyetimin e nevojës për siguri, lehtësisht kamuflohet urrejtja ndaj tjetrit dhe përligjen masat represive, që më tepër zhvillohen si një gjueti shtrigash sesa si veprime të duhura për garantimin e rendit kushtetues në një shtet. Këto praktika e asfiksojnë demokracinë dhe stabilitetin.

Të gjithë të huajt, qofshin edhe të përkatësive të ndryshme, ndodh të emërtohen me një emër mjaft përgjithësues: refugjatë. Ky term dikur e definonte një status juridik të një personi, ndërsa sot po përdoret në mënyrë të paskrupullt për të prezantuar dikë që ka mbetur “pa atdhe” dhe që nuk është i mirëpritur. Duke bërë një cilësim të këtillë, sikur po harrohet se, para së gjithash, ata janë njerëz. Përgjithësimet e tilla janë sabotim direkt ndaj tolerancës në bashkëjetesë dhe paqes në mbarë globin.

 Kuadri i përgjithshëm juridik

Ksenofobia dhe diskriminimi janë si mishi me thoin. Nuk ndahen dot, ngase kanë të njëjtin objektiv: epërsinë e dikujt në kurriz të tjetrit. Ato gjejnë hapësirë në vendet ku e drejta nuk sundon mirëfilli. Pra, ose ku nuk ka supremaci dhe zbatim të parimeve universale ose ku ka standarde të dyfishta të aplikimit të rendit juridik. Në cilindo variant nuk bëhet fjalë për barazinë, si princip i cili proklamohet në aktet më të larta shtetërore e ndërkombëtare.

Së këndejmi, një mori konventash e deklaratash në të drejtën ndërkombëtare i kanë ndaluar diskriminimet ndërmjet njerëzve. Për shembull, sipas Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të OKB-së: “Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh për sa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër. Asnjë dallim nuk do të bëhet në bazë të statusit politik, juridik ose ndërkombëtar të shtetit ose vendit të cilit i përket çdo njeri, qoftë kur shteti ose vendi është i pavarur, qoftë nën kujdestari, qoftë jo vetëqeverisës ose që gjendet në çfarëdo kushtesh të tjera të kufizimit të sovranitetit” (neni 2).

Kjo frymë e ndalimit të diskriminimit është e pranishme edhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Duhet potencuar se shtetet nënshkruese të saj janë të detyruara që të sigurojnë “gëzimin e të drejtave dhe lirive të përcaktuara në këtë Konventë pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si gjinia, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër” (neni 14).

Po kështu, edhe shtetet e rregullojnë në nivel kombëtar harmonizimin e legjislacionit të tyre me të drejtën ndërkombëtare, për aq sa ajo është e zbatueshme. Sot të gjitha kushtetutat moderne vënë theksin tek barazia para ligjit.

Për ilustrim, Kushtetuta e Republikës së Kosovës (neni 24/2) shprehimisht thotë: “Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.” Kur kjo ndërlidhet me nenin 57/2 që shprehet se “Çdo pjesëtar i komunitetit do të ketë të drejtën që të zgjedhë lirisht nëse do të trajtohet ose të mos trajtohet si pjesëtar i komunitetit dhe nga kjo zgjedhje ose nga ushtrimi i të drejtave që ndërlidhen me këtë zgjedhje, nuk do të rezultojë asnjë diskriminim”, rezulton se terreni kushtetues i Kosovës përbën barrierë për ide si ksenofobia.

Ndonëse tekstet kushtetuese mund të proklamojnë parime jodiskriminuese, është e nevojshme që praktikat diskriminuese dhe nxitjet keqdashëse të sanksionohen si vepra penale. Kështu, ta zëmë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (neni 147), nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar ose etnik është vepër penale dhe e dënueshme me burgim deri në dhjetë vjet, varësisht nga mënyra e kryerjes së veprës. Po ashtu, si krim kundër njerëzimit që dënohet me së paku pesëmbëdhjetë vjet burgim ose burgim të përjetshëm, konsiderohet “persekutimi i një grupi ose kolektivi të identifikuar për arsye politike, racore, kombëtare, etnike, kulturore, fetare, gjinore apo në ndonjë baze tjetër e cila është botërisht e njohur si e palejueshme sipas të drejtës ndërkombëtare” (neni 149/1.8 i Kodit Penal). 

Mirëpo, jo medoemos gjithçka përfundon së mbari me anë të formulimeve juridike të avancuara. Mjetet ligjore janë ndër rrugët e shumta të luftimit të ksenofobisë. Jetësimi i normave të tilla dhe veprimtaria konkrete e shtetit, mbi të gjitha, lipset në edukimin e duhur të gjeneratave. Kjo realizohet nëpërmes një sistemi arsimor të qendërzuar në moral dhe humanizëm, ku strumbullari i parashtrimit të kësaj teme do të ishte sqarimi se realizimi i mendimeve ksenofobike nuk paraqet krenari për personin, shoqërinë a shtetin, por, përkundrazi, rrezatim dobësie dhe ligësie të karakterit individual dhe shoqëror./shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress