Përçahet PD, demokratët akuza kreut demokrat se po përdoret nga LSI

Aleanca e re Basha-Kryemadhi nuk është pritur mirë nga një pjesë e madhe e demokratëve. Pas shpërthimit të skandalit “Tahiri”, PD dhe LSI u bënë bashkë kundër qeverisë. Por dhe pse fillimisht u përfol për një front të përbashkët opozitar, ditët e fundit po tregohet qartë për rikthimin e aleancës së dikurshme Meta-Berisha. Për një sërë emrash të njohur në PD, disa ish-deputetë dhe pjesa tjetër anëtarë të kësaj partie, nuk mund të ketë një aleancë me LSI. Një ndër këta persona është dhe ish-deputetja e PD Arbjola Halimi, e cila përmes një prononcimi për gazetën SOT theksoi se kjo aleancë i shërben LSI-së dhe jo PD-së. Sipas Halimit, PD nuk duhet të bëj një aleancë me LSI, por duhet të rrisë kredencialet e saj si parti opozitare sepse qëllimi i LSI . “Përpos asaj që kam dëshmuar tashmë publikisht në lidhje me lidershipin e Bashës. Gjykoj se një afrim i tillë nuk i shërben PD. Ky bashkim më së shumti është në favor të LSI e cila duke u bashkuar me partinë më të madhe opozitare forcon pozitat e saj në opozitë.

I shërben më së shumti LSI për tu promovuar si opozitë duke larguar vëmendjen nga fakti se ka bashkëqeverisur me PS në mandatin e shkuar. Për shkak të humbjes së lartë të besueshmërisë në elektorat ndaj PD, pasojë e vendimeve të lidershipit, PD më shumë se kurrë i nevojitet që të rrisë kredencialet e saj si parti e fortë dhe e konsoliduar opozitare. Nuk jam kundër afrimeve, por jo kur këto i shërbejnë më shumë të tretëve, në këtë rast LSI më shumë se sa PD. PD duhet të përqendrojë kapacitetet e saj për të bërë ajo një luftë të fortë opozitare, gjë e cila pavarësisht ngjarjeve të rënda nuk po ndodh”, u shpreh Halimi. Sakaq profesor Ilir Kuduku, një nga themeluesit e PD-së, përmes një statusi në rrjetet sociale ka kritikuar ashpër aleancën PD-LSI si dhe hapësirën që po i jep PD kësaj aleance. “Humori i shekullit! Më vjen keq që organi qendror i Partisë Demokratike, organ në të cilin unë kam botuar rreth 200 artikuj është kthyer në organ satire dhe humori! Neveri dhe turp për këta sharlatanë të demokracisë shqiptare!”, shkruante Kadiu.

Tafaj: LSI përfiton nga aleanca

Ashtu si ish-deputetja e PD Arbjola Halimi edhe ish-ministri i Arsimit në kohën e PD Myqerem Tafaj ndan të njëjtin mendim sa i përket aleancës me PD-LSI. Tafaj deklaroi për gazetën se është kundër aleancës PD-LSI, por “pro” një misioni të përbashkët kundër qeverisë. Sakaq, Tafaj theksoi se ajo që përfiton nga kjo aleancë është LSI. “Sigurisht që LSI përfiton nga aleanca me PD. Por sa i përket aleancës PD-LSI është deklaruar më përpara dhe kjo aleancë është një aksion i përbashkët kundrejt qeverisë, jo një aleancë. Si dy parti opozitare kanë të dejtë të bashkohen. Por sa i përket aspektit përfitues LSI është ajo që përfiton kurse PD nuk ka na një interes përfitimi. Mund të ndodh që të ketë një shkëputje elektorati. Por duke qenë se janë të dyja në opozitë partitë e vogla zakonisht humbasin më shumë sesa partitë e mëdha”, u shpreh Tafaj.

Topollaj: PD bashkim me figurat e saj

Këshilltari i PD, Fabian Topollaj, përmes një reagimi për gazetën, theksoi se PD nuk duhet të bashkohet me LSI-në. “Unë nuk shqetësohem fare se kush përfiton më shumë LSI apo PD, ajo që më shqetëson është bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë në një front të vetëm. Dhe në një kohë që PD po arrin të bashkëpunojë me LSI, me çudit si nuk po arrin të bashkojë në një front të vetëm opozitar figurat më të larta historike të kësaj partie si Bode, Topalli apo Patozi, dhe se si po i mban larg të rinjtë që kanë dëshmuar aftësi politike në të bërit opozitë brenda kësaj partie, si rasti i Tomorr Alizotit, Endira Bushatit, Belind Kellicit apo Genti Malkos, që sot ose janë të dorëhequr ose të mënjanuar nga lidershipi i PD”, u shpreh Topollaj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne